Lifestyle

Aktivitetet artistike dhe kreative tejet të rëndësishme për zhvillimin e fëmijëve

Duke qenë se e gjithë bota kohën më të madhe gjatë kësaj periudhe të pandemisë po e kalon brenda ambienteve të shtëpisë, shumë prindër po kalojnë më shumë kohë me fëmijët e tyre se në jetën e përditshme.

Prandaj, shumica prej tyre janë vazhdimisht në kërkim të formave të reja dhe kreative për t’i mbajtur fëmijët të zënë me aktivitete, në mënyrë që ata të kenë kohë t’i kryejnë obligimet e tyre rreth shtëpisë por edhe punës. Arti dhe veprat artizanale janë një mënyrë e përkryer për familjet që të mësojnë aftësi të reja, duke u argëtuar njëkohësisht.

Po ashtu, kjo mund të jetë një mundësi e përkryer për t’i larguar më të vegjlit tuaj nga ekrani, transmeton Koha.

Këto janë disa forma të cilat iu sugjerohen t’i praktikoni për t’i mbajtur fëmijët të zënë me aktivitete, të cilat edhe mund të kontribuojnë për të mirë në zhvillimin e tyre.

Mbajini fëmijët tuaj sa më kreativ

Punimet artizanale janë të përkryera ngase ia rrisin fëmijëve kreativitetin, si dhe ua mundësojnë gjithë familjes shfrytëzimin e imagjinatës. Nuk ka rregulla të caktuara të cilët duhet ndjekur derisa bëni punime artizanale, dhe kryesisht çdo gjë përreth ambientit tuaj mund të shfrytëzohet për krijimin e ndonjë vepre artistike, duke filluar nga copëzat e pambukut, letra higjienike apo kutitë e vezëve.

Aktivitetet domethënëse në ambient të mbyllur

Realiteti aktual është se, loja me miq në parqe apo argëtimi duke notuar në pishinë, nuk janë më opsion për fëmijët tuaj. Të paktën edhe për ca kohë. Prandaj, argëtimi brenda mureve të shtëpisë mund të jetë pak më i vështirë, por i domosdoshëm, veçanërisht nëse po mundoheni t’i mbani ata sa më larg ekranit dhe teknologjisë. Dhe krijimi i ndonjë punimi artistik është një alternativë e përkryer. Po ashtu keni shumë opsione të krijoni vepra arti, dhe çdo herë mund të gjeni diçka të re për të bërë. Madje, fëmijët e vlerësojnë shumë nëse mund të krijojnë diçka bashkë me prindërit, dhe u pëlqen ta kenë vëmendjen e tyre të plotë për disa minuta në ditë.

Aktivitetet e tilla madje luajnë rol të rëndësishëm edhe për një gjumë sa më të mirë të fëmijëve. Kështu, ata kanë mundësi ta shpenzojnë energjinë e tepruar të akumuluar gjatë ditës, dhe kështu e bëjnë gjumin e natës më të plotë dhe të mirë.

Prandaj preferohet që aktivitetet argëtuese, kreative dhe artistike të fëmijëve, të bëhen rutinë e familjes suaj.

Mësimi i aftësive të reja

Derisa disa projekte artizanale ua mundësojnë fëmijëve ta ndjekin intuitën dhe imagjinatën e tyre pandërprerë, disa projekte kërkojnë ndjekjen e udhëzimeve të caktuara. Ekzistojnë disa leksione të jetës të cilat ata mund t’i mësojnë duke i realizuar këto projekte, siç janë rëndësia e ndjekjes së udhëzimeve dhe rregullave, dhe koha që duhet kushtuar një pune, për të arritur rezultate sa më të suksesshme. Krijimi i diçkaje nga fillimi deri në fund, mund të kontribuojë në vetëbesimin e fëmijëve. Është një mënyrë fantastike që ata të mësojnë se ndjekja e rregullave dhe këshillave të prindit, sjellë përfitime të mira për ta.

Puna në ekip

Nëse fëmija juaj është shumë i pavarur, puna në ekip në krijimin e një punimi artizanal mund të jetë formë unike në ndërtimin e aftësisë për të funksionuar edhe më mirë në grup.

Ndryshe nga aktivitetet sportive, në krijimin e një vepre artizanale nuk ka fitues apo humbës, thjeshtë dy apo më shumë njerëz duke bashkëpunuar për ta arritur një rezultat të njëjtë.

Praktika e rutinës me fëmijët tuaj mund t’ia mundësojë gjithë familjes të argëtohet duke krijuar punë artizanale, dhe të shkaktojë shprehi të kësaj forme të argëtimit te fëmijët tuaj, ndryshe nga koha pasive të cilët e kalojnë duke luajtur në telefona mobil.