Testi i ri me inteligjencë artificiale (AI) mund të parashikojë saktësisht se cilët burra me kancer në prostatë do të përfitojnë më shumë nga abirateroni, një ilaç i përshkruar si “revolucionar” që përgjysmon rrezikun për vdekje nga kjo sëmundje, ka raportuat The Guardian.
Ky zbulim i madh shkencor, i bërë nga studiues në SHBA, Britani dhe Zvicër, u prezantua këtë javë në konferencën më të madhe për kancerin në botë, organizuar nga Shoqata Amerikane e Onkologjisë Klinike (ASCO) në Çikago.
Abirateroni ka ndihmuar qindra mijëra burra me kancer të avancuar në prostatë të jetojnë më gjatë.
Por, në disa vende, përfshirë Anglinë, ky ilaç nuk ofrohet gjerësisht për pacientët te të cilët sëmundja nuk është përhapur ende, për shkak të efekteve anësore dhe kostos së mbikëqyrjes.
Tani, falë testit të ri me AI, mjekët mund të përcaktojnë me saktësi cilët pacientë me kancer në fazë të hershme përfitojnë me të vërtetë nga abirateroni, dhe cilët mund të shpëtojnë nga trajtimi i panevojshëm.
“Abirateroni e ka përmirësuar jashtëzakonisht shumë prognozën për qindra mijëra burra me kancer të avancuar në prostatë. Ne e dimë që edhe për shumë burra me kancer që nuk është përhapur, ky ilaç mund të japë rezultate spektakolare. Por, ai ka efekte anësore, mund të shkaktojë tension të lartë, çrregullime në mëlçi dhe rrit pak rrezikun për diabet dhe infarkt. Prandaj, është shumë e vlefshme të dimë se kush do të përfitojë më së shumti”, ka thënë profesori Nick James, studiues në Institutin për Studime mbi Kancerin në Londër.
Testi me AI analizon imazhet e biopsive të prostatës dhe identifikon detaje që syri i njeriut nuk i sheh dot. Ai u testua në më shumë se 1,000 burra me kancer të rresikshëm, por që nuk ishte përhapur.
Testi arriti të identifikojë 25% të burrave që përfitojnë më së shumti nga abirateroni. Për këta pacientë, ilaçi uli rrezikun për vdekje nga 17% në 9% pas pesë vjetësh.
“Kjo është shumë domethënëse. Tregon që algoritmet e reja mund të nxjerrin informacione jetike nga analizat e zakonshme laboratorike që bëhen pas biopsisë së patologjisë, për të personalizuar trajtimin dhe për të shmangur mbingarkesën me ilaçe”, ka thënë profesori Gert Attard, bashkautor i studimit nga UCL Cancer Institute.
Ndërsa te 75% e burrave të tjerë, të quajtur “biomarker-negativë”, përfitimi nga ilaçi ishte minimal dhe jo i rëndësishëm në aspektin klinik apo statistik: rreziku për vdekje zbriti nga 7% në 4%. Këta pacientë mund të trajtohen vetëm me terapi me hormone dhe radioterapi, pa nevojën e abirateronit.
Çmimi i abirateronit, sipas James, është vetëm 77 funte britanike (rreth 91 euro), për paketë, shumë më pak se ilaçet e reja që kushtojnë mijëra funte britanike.
“Shpresoj sinqerisht që ky hulumtim, që tregon me saktësi se kush ka nevojë për këtë ilaç për të jetuar më gjatë dhe më mirë, do t'i bindë mjekët në Britani që të rishikojnë vendimin për të mos e financuar abirateronin për kancerin e rrezikshëm që nuk është përhapur”, ka thënë ai.
Aktualisht, abirateroni është i miratuar nga institucione shëndetësore në Britani vetëm për kancerin e avancuar, por në Skoci dhe Uells ai është në dispozicion edhe për rastet në faza të hershme me rrezik të lartë.
“Ky test me inteligjencë artificiale është lajm shumë emocionues. Ne e mbështesim thirrjen urgjente të studiuesve që abirateroni t’u jepet burrave që mund t’u shpëtojë jetën, dhe që falë këtij studimi, mund t’i identifikojmë më saktë se kurrë më parë”, ka thënë doktori Matthew Hobbs, drejtor i kërkimeve në organizatën Prostate Cancer UK.