Shumë njerëz përpiqen të kufizojnë konsumin e sheqerit, por është e vështirë të hiqet dorë nga ëmbëlsirat. Një pyetje e zakonshme është nëse ëmbëltuesit “natyralë”, si mjalti, shurupi i panjës apo ai i bimës agave, janë më të shëndetshëm se sheqeri i bardhë.
Sipas ekspertëve të ushqyerjes, përgjigjja është “jo plotësisht”, ka shkruar The New York Times.
“Trupi juaj nuk e dallon nëse sheqeri vjen nga mjalti, sheqeri i tryezës apo shurupi i agaves. Ai e shpërbën në të njëjtat molekula”, ka thënë Karen Della Corte, profesoreshë e shkencës ushqimore në Universitetin Brigham Young në Utah.
Pse sheqeri i tepërt është i dëmshëm
Sheqeri në një mollë dhe ai në një çokollatë janë të përbërë nga të njëjtat molekula, glukozë dhe fruktozë, por trupi i përpunon ndryshe, në varësi të mënyrës si janë “paketuar” në ushqim.
“Kur konsumoni një frutë ose perime të plota, fibra që përmban ngadalëson tretjen dhe parandalon rritjen e menjëhershme të nivelit të sheqerit në gjak”, ka shpjeguar Kimber Stanhope, hulumtuese e ushqyerjes në Universitetin e Kalifornisë.
Por kur konsumoni sheqerna të shtuar, si sheqerin e rafinuar apo shurupin me përmbajtje të lartë të fruktozës, ato hyjnë shumë më shpejt në gjak, duke shkaktuar rritje të menjëhershme të nivelit të sheqerit.
“E njëjta gjë mund të ndodhë edhe me lëngjet e frutave, edhe kur nuk kanë sheqer të shtuar, sepse gjatë përpunimit humbet fibra mbrojtëse”, paralajmëron doktoresha Della Corte.
Këto ngritje të përsëritura të nivelit të sheqerit në gjak mund të çojnë në rezistencë ndaj insulinës, që me kalimin e kohës mund të zhvillohet në diabet të tipit 2.
Sipas doktorit Robert Lustig, endokrinolog në Universitetin e Kalifornisë, San Francisko, “sheqeri i tepërt mund të shndërrohet në yndyrë nga mëlçia, gjë që rrit rrezikun për sëmundje kronike të mëlçisë dhe madje edhe për atak në zemër apo sulm në tru”.
Për këtë arsye, autoritetet shëndetësore amerikane rekomandojnë jo më shumë se 50 gramë sheqer të shtuar në ditë, ndërsa Shoqata Amerikane e Zemrës vendos kufij më të rreptë: jo më shumë se 36 gramë për burrat dhe 25 gramë për gratë.
A janë ëmbëlsuesit “natyralë” më të mirë?
Ani pse mjalti, shurupi i panjës dhe ai i agaves shiten si alternativa “më të shëndetshme”, në fakt ato janë parape se prapë sheqerna të shtuar dhe mund të jenë po aq të dëmshëm kur konsumohen në sasi të mëdha.
“Shumica e studimeve që pretendojnë se këto janë më të mira janë financuar nga vetë industria”, ka theksuar Stanhope.
Në vitin 2024, për shembull, një studim i financuar nga industria e shurupit të panjës pretendonte se ai ishte më i mirë për nivelin e sheqerit në gjak dhe shëndetin e zemrës sesa sheqeri i bardhë.
“Por analiza ishte e diskutueshme dhe mund t’i ketë të ekzagjeruar përfitimet shëndetësore”, ka thënë ajo.
Një studim tjetër më i vogël nga viti 2015, megjithëse kishte financim nga industria e mjaltit, ishte më i besueshëm. Ai përfshiu 55 të rritur, të cilët konsumuan çdo ditë për dy javë një pije me 50 gramë sheqer, në formë mjalti, sheqeri të bardhë apo shurupi me fruktozë të lartë.
Rezultati tregoi se nuk pati asnjë ndryshim në nivelet e sheqerit në gjak, yndyrës së dëmshme në gjak apo inflamacionit.
“Studimi sugjeron se mjalti nuk është as më i mirë, as më i keq se sheqeri i zakonshëm”, ka përfunduar Stanhope.
Po ëmbëltuesit artificialë?
Nëse mendoni të kaloni te ëmbëltuesit pa kalori, si aspartami (NutraSweet, Equal), sukraloza (Splenda) apo ëmbëltuesit me bazë bimore si stevia dhe monk fruit, ekspertët thonë se kërkimet janë ende të paqarta.
Shkencëtarët po studiojnë nëse ato mund të ndikojnë negativisht në metabolizëm dhe mikrobet e zorrëve.
Këshilla e ekspertëve
Kur keni dëshirë për diçka të ëmbël, përpiquni të zgjidhni alternativa natyrale: fruta si boronicat, mollët ose edhe patatet e ëmbla të pjekura.
“Nëse kjo nuk ju kënaq, pak sheqer, për shembull pak mjaltë mbi disa copa molle, është në rregull”, këshillojnë ekspertët.
Edhe çokollata e zezë mund të jetë zgjedhje më e mirë, pasi zakonisht përmban më pak sheqer të shtuar sesa çokollata e qumështit.