Autoritetet amerikane dhe ato meksikane i kanë bërë thirrje Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) të shpallë një emergjencë të shëndetit publik për shkak të shpërthimit të një infeksioni kërpudhor të lidhur me operacionet plastike në Meksikë, raporton BBC.
Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA (CDC) ka njoftuar se dy persona i janë nënshtruar operacioneve që përfshinin anestezion epidural dhe ata vdiqën nga meningjiti.
Pothuajse 400 persona në SHBA dhe Meksikë po monitorohen.
Dy klinika të kirurgjisë plastike në qytetin meksikan Matamoros janë mbyllur.
Autoritetet në SHBA e Meksikë u kanë bërë thirrje personave që kanë pasur operacione ku iu nënshtruan anestezionit epidural, në klinikën “River Side Surgical Center” apo “Clinika K-3” që nga janari, të kontrollohen, edhe nëse aktualisht nuk kanë simptome.
CDC ka identifikuar tashmë 25 persona në SHBA me raste të “dyshuara” apo të “mundshme” të meningjitit kërpudhor.
Shumë qytetarë amerikanë udhëtojnë në Meksikë për t’iu nënshtruar operacioneve plastike si atyre në buzë, zmadhim të gjoksit apo edhe intervenim në të pasme, Këto operacione kërkojnë të injektohet anestezioni në zonën rreth shtyllës kurrizore.
CDC dyshon se medikamentet e përdorura gjatë anestezionit në këto raste mund të kenë qenë të kontaminuara.
“Ka një mungesë aktualisht të medikamenteve për anestezion në Meksikë dhe ka gjasa që janë marrë në treg të zi ilaçe që mund të kenë qenë të kontaminuara”, ka thënë Dallas Smith nga CDC-ja.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.