Gërhitja, lëvizja dhe rrotullimi, dremitja për një kohë të gjatë përgjatë ditës, zgjimi gjatë natës dhe gjumi shumë pak apo edhe shumë, të gjitha kontribuojnë në gjumin me cilësi të dobët dhe mund të rrisin rrezikun për sulm në tru, sipas një studimi të ri.
Në fakt, studiuesit zbuluan se sa më shumë probleme me gjumin të keni, aq më i madh është rreziku i sulmit në tru, shkroi CNN.
“Pasja e më shumë se pesë prej këtyre simptomave mund të çojë në pesë herë më shumë rrezik për sulm në tru në krahasim me ata që nuk kanë probleme me gjumin”, tha autorja e studimit, Christine McCarthy nga Universiteti Galway në Irlandë.
"Gjetjet janë në përputhje me hulumtimet e mëparshme që lidhin gjumin e pashëndetshëm me presionin e lartë të gjakut dhe dëmtimet në enët e gjakut, të cilët janë faktorë rreziku për sulm në tru", tha specialistja e gjumit Kristen Knutson.
Një arsye mund të jetë ndikimi i gjumit të shkurtër dhe të fragmentuar dhe çrregullimeve të gjumit si apnea e gjumit në aftësinë e trupit për të rregulluar metabolizmin, presionin e gjakut dhe inflamacionin, të cilët janë të gjithë faktorë rreziku për sulm në tru, ka thënë Phyllis Zee, drejtor i Qendrës “Circadian and Sleep Medicine” në shkollën mjekësore të Northwesternit.
Rezultatet nga personat që morën pjesë në studim treguan se ata që flinin më pak se pesë orë natën kishin mesatarisht pesë herë më shumë gjasa të përjetonin sulm në tru se ata që bënin shtatë orë gjumë – minimumi i rekomanduar për të rriturit.
Në anën tjetër, fjetja mesatarisht për më shumë se nëntë orë natën është lidhur me rritje të dyfishtë të rrezikut për sulm.
Pasja e apnesë së gjumit – gjendje në të cilën njerëzit ndalojnë të frymojnë disa herë në orë – u lidh me rritje të trefishtë të rrezikut për sulm në tru.
Gërhima, që mund të jetë shenjë e apnesë së patrajtuar të gjumit, ishte po ashtu e rrezikshme. Njerëzit që gërhisnin kishin 91% gjasa të kishin sulm në tru.
Sipas studimit, edhe dremitja ishte faktor rreziku. Njerëzit që mesatarisht dremisnin mbi një orë kishin 88% gjasa më shumë të përjetonin sulm sesa ata që nuk dremisnin. Por, dremitja e planifikuar më pak se një orë nuk lidhej me rrezik sulmi.