Hulumtimet e reja tregojnë për benefitet shëndetësore nëse bëni gjumë të mirë. Persona të famshëm ia kanë lënë meritat gjumit të mirë për sukseset. Jennifer Lopez ka thënë se gjumi i mirë ka ndikuar që të ketë pamjen që e ka.
Për të rriturit mes moshave 18 dhe 80 vjet, Agjencia Nacionale e Shëndetësisë në Britani, rekomandon gjumë nga 6 deri në 11 orë.
Mirëpo, shumica e britanikëve bëjnë vetëm 6 orë e 19 minuta gjumë mesatarisht gjatë një nate, raporton “The Sun”.
Mirëpo, është me rëndësi të mos kemi stres rreth gjumit, thotë doktoresha Sue Peacock.
“Frika rreth gjumit mund të çojë në çrregullime të gjumit dhe pagjumësi, që më pas përkeqëson gjendjen. Duhet të mbani në mend se një natë pa gjumë apo me pak gjumë, nuk ju bën dëm të madh me përjashtim se ju bën pak të lodhur. Por, nëse në vazhdimësi keni mungesë gjumi, atëherë është problematike”, thotë Peacock.
Por, çfarë probleme mund të shkaktojë mungesa e gjumit? “The Sun” tregon disa prej tyre.
Imuniteti
Mungesa e gjumit mund të pengojë të luftosh virusit e bakteret, thotë doktoresha Sue Peacock.
“Sasia e gjumit që merr mund të ndikojë në mënyrë direkte se sa mirë funksionin sistemi i juaj imunitar, dhe po ashtu se si sistemi i juaj imunitar prodhon substanca mbrojtëse që luftojnë infeksionet – të njohura si citokine”, thotë Sue.
Sipas ekspertëve, këto citokine jo vetëm që luftojnë pushtuesit e huaj, si bakteret e viruset, por edhe ju ndihmojnë të bëni gjumë – që i jep më pas sistemit tuaj imunitar më tepër energji për ta mbrojtur trupin kundër sëmundjeve.
Shtimi i peshës
Një hulumtim tjetër tregon se njerëzit që bëjnë më pak se gjashtë orë gjumë në natë janë më të rrezikuar nga obeziteti dhe diabeti.
“Derisa flejmë, hormonet si kortizoli, leptina dhe grelina (që janë përgjegjëse për rregullimin e urisë) rregullohen. Kështu që afatgjatë mungesa e gjumit rrit apetitin dhe shton peshën”, shpjegon doktoresha Sue.
Shkencëtarët tjerë paralajmërojnë se mungesa e gjumit ndryshon edhe mënyrën se si trupi përballon ushqimin, që mund të çojë te shtimi i peshës.
Shëndeti i trurit
“Mungesa e gjumit ndërlidhet me probleme në memorie dhe aftësi njohëse dhe po ashtu është faktor rreziku për aksidente trafiku”, thotë doktoresha Sue.
Disa ekspertë besojnë se gjumi ndihmon trurin tonë të largojë proteinat e dëmshme që formohen gjatë ditës.
Kështu që mungesa e gjumit, ndërhynë edhe në aftësinë e trurit tonë për t’i hequr qafe ato proteina.
Sëmundje të zemrës
Doktoresha Sue thotë se netët pa gjumë mund të rrisin rrezikun nga sëmundje të kardiovaskulare, si hipertensione apo edhe të sulmit në zemër.
Një studim ka zbuluar se pagjumësia rrit rrezikun në mënyrë të konsiderueshme nga sëmundjet e zemrës.
Një raport, i mjekëve në Kinë, thotë se gjumi ndihmon në riparimin e shërimin e zemrës dhe enëve të gjakut dhe lejon sistemin kardiovaskular të pushojë, duke lejuar kështu edhe organet të marrin veten.
Kanceri
Mungesa e gjumit të mjaftueshëm rrit gjasat edhe të sëmureni nga kanceri, thotë një hulumtim.
Çrregullimi në “orën biologjike” të trupit që kontrollon gjumin dhe mijëra funksione tjera, rritë mundësinë e kancerit të gjirit, të zorrës apo prostatës, thotë një studim i “Hopkins Medicine”.
Ekspozimi ndaj dritës duke punuar në ndërrime të natës për disa vjet mund të reduktojë nivelin e melatoninës, duke inkurajuar kancerin të rritet, shpjegohet në hulumtim.
Një studim i vitit 2010 ka zbuluar se më pak se gjashtë orë gjumë në natë mund të çojë në rrezik 50 për qind më të madh që të zhvilloni kancer të zorrëve.