Lifestyle

Pesë mitet rreth kancerit të mushkërive që nuk duhet t’u besoni më

Nëntori shënon muajin e vetëdijesimit të kancerit të mushkërive – një sëmundje për të cilën shumica prej nesh mendojmë se i dimë shkaqet kryesore dhe simptomat e saj.

Megjithatë, ende ka keqkuptime rreth kancerit të mushkërive – jo domosdoshmërisht është thjesht një rast i të qenit sëmundje “e duhanpirësit”.

Ja disa mite që duhen eliminuar rreth kësaj sëmundjeje.

Miti 1: Kanceri i mushkërive prek vetëm personat e moshuar

Sipas pulmologut John Costello, “kanceri i mushkërive është dukshëm më i shpeshtë te personat më të moshuar – mosha mesatare e diagnozës është 70 vjeç. Megjithatë kjo mund të pasqyrojë vetëm ekspozimin më të gjatë ndaj duhanit”.

Kjo nuk nënkupton se do ta marrësh këtë sëmundje kur të jesh i moshuar. Sipas Lisa Jacques, infermiere specialiste në trajtimin e kancerit, “shumë njerëz zhvillojnë kancer të mushkërive në të 60-at apo 70-at e tyre, pas shumë vitesh të pirjes së duhanit, por herë pas here njerëzit sëmuren me kancer të mushkërive në një moshë shumë më të re, madje në të 20-at apo 30-at”, shkroi The Independent.

Miti 2: Kanceri i mushkërive gjithmonë shkaktohet nga duhanpirja

Megjithëse duhanpirja rrit shanset për zhvillim të kancerit të mushkërive, nuk është shkaku i vetëm.

“Duhanpirja është shkaku i shumicës së rasteve të kancerit të mushkërive dhe faktori më i madh i rrezikut, por rreth 10% të njerëzve që kanë kancer të mushkërive asnjëherë nuk kanë pirë duhan”, shpjegoi Jacques.

Costello shtoi: “Ka disa raste të kancerit të mushkërive që janë gjenetike dhe mund të mos lidhen me duhanpirjen, dhe disa të tjera shkaktohet nga ekspozimi ndaj substancave si asbesti, gazi radon dhe duhanpirja pasive”.

Miti 3: Nuk mund të riktheheni nga dëmtimi i mushkërive nga duhanpirja

“Disa nga dëmet e shkaktuar nga duhanpirja mund të kthehen në mushkëri të shëndetshme, por emfizema është shkatërrim arkitektonik i mushkërive që shkakton gulçim ekstrem dhe nuk mund të ketë rikthim”, tha Costello.

Kështu që, lënia e duhanit mund ta reduktojë rrezikun – por të mos fillosh fare pirjen është shumë më mirë.

Miti 4: Kanceri i mushkërive është gjithnjë vdekjeprurës

Një diagnozë e kancerit të mushkërive nuk nënkupton vdekje të sigurt, por sërish mbetet serioze.

“Kanceri i mushkërive ka shkallë të mbijetesës prej 60% për pesë vjet te njerëzit me sëmundje të lokalizuar”, tha Costello. “Nëse është përhapur përreth trupit në kohën e diagnostikimit, shkalla e mbijetesës është vetëm 8%”.

Por, ai shtoi se ka “teknika të reja në ekzaminimin për kancerin e mushkërive, si skanimet CT te duhanpirësit mbi 50 vjeç me një sfond të rëndë duhanpirjeje”.

Kështu që, nëse keni shqetësime për një kollë të vazhdueshme, takoni mjekun dhe kontrollohuni sa më shpejt.

Miti 5: Gratë nuk kanë nevojë të shqetësohen për kancerin e mushkërive aq shumë sa për llojet e tjera

Sipas Kërkimeve për Kancerit në Britani, burrat kanë më shumë gjasa të sëmuren me kancer se gratë (52% të rasteve me kancer të mushkërive janë burra, krahasuar me 48% gra). Megjithatë, gratë gjithsesi duhet të jetë të vetëdijshme për kancerin e mushkërive.

“Kanceri i mushkërive ka qenë problem në rritje për gratë që kur ato arritën burrat në termat e zakonit të duhanpirjes, kështu që ato janë në rrezik nëse pinë duhan”, tha Costello.

Jacques shtoi: “Është lloji i tretë më i zakonshëm i kancerit në Britani, dhe te gratë është lloji i dytë më i zakonshëm i kancerit”.

Pra, pavarësisht a je apo jo duhanpirës, shiko për simptomat e kancerit të mushkërive – si kolla që zgjatë më shumë se dy apo tri javë, infeksione në gjoks, gulçimi dhe dhimbja kur frymon – dhe kontrollohuni te mjeku nëse keni ndonjë nga këto shqetësime.