Lifestyle

Si të kurseni para gjatë vitit?

Vera është stina kur rriten shpenzimet tona. Dëshirojmë të shkojmë për pushime, të dalim sa më shumë dhe të marrim pjesë në ngjarje të ndryshme kulturore, që mbahen gjatë kësaj stine. Për këtë arsye është e rëndësishme që të kursejmë gjatë tërë vitit në mënyrë që të kemi kursime të mjaftueshme për të kaluar një verë të mrekullueshme.

Kursimi ndonjëherë është i vështirë, por me ndjekjen e këtyre hapave do t’ia arrini qëllimit.

Bëhu specifik në shumën e parave që dëshironi ta kurseni

Që nga fillimi i kursimit, vendosni një shumë të caktuar që dëshironi ta ruani. Më pas mund të vendosni shifra mujore në mënyrë që të jeni gjithnjë e më afër numrit përfundimtar. Në anën tjetër, kursimi sipas dëshirës nuk është shumë i dobishëm në planin afatgjatë. Sepse pa qëllim specifik në mendje nuk mund të kuptoni përparimin tuaj dhe sa duhet të kurseni në baza javore dhe mujore.

Zvogëloni shpenzimet e panevojshme

Të gjithë ne kemi sfera të jetës në të cilat mund të zvogëlojmë shpenzimet e panevojshme. Kjo mund të përfshijë zvogëlimin e pirjes së kafesë çdo ditë në lokalin tënd të preferuar, reduktimi i blerjeve online dhe zvogëlimi i shpenzimeve që bëhen më shumë për shkak të shprehisë së krijuar se sa nga nevoja për to.

Gjeni punë të re

Nëse keni kohë ekstra gjatë javës, të cilën mund ta shfrytëzoni në mënyrë produktive atëherë mund të gjeni ndonjë punë shtesë, nga e cila do të fitoni para. Në këtë mënyrë paratë e fituara nga kjo punë i përfshini në kursimet tuaja.

Shitni gjërat tuaja

A keni rroba të cilat nuk po i vishni më? Apo ndonjë aksesor dhe dekorim të cilin nuk po e përdorni? Atëherë, zgjidhja më e mirë është t’i shisni ato. Ekzistojnë uebfaqe dhe aplikacione të ndryshme që ju mundësojnë një shitje të tillë, mjafton vetëm pak përkushtim nga ana juaj dhe kjo shitje mund të bëhet.

Ndani nevojat nga dëshirat

Të gjithë kemi shumë dëshira. Mirëpo kur vendosim të kursejmë duhet të definojmë dallimet mes asaj se çfarë kemi dëshirë dhe çfarë kemi nevojë; të blejmë, të shkojmë apo të bëjmë. Në momentin kur ky dallim bëhet i qartë edhe procesi i kursimit do të jetë më i lehtë.

Është e kuptueshme që kursimi nuk është diçka e lehtë, por ju duhet të filloni praktikimin e tij në mënyrë që kur të vjen vera, të realizoni të gjitha dëshirat tuaja për të cilat keni kursyer dhe punuar gjatë vitit.