Ndonëse nuk është sekret se është e rëndësishme të konsumoni produkte me vlera të larta ushqyese dhe të dobishme për trupin tuaj, mund të keni supozuar se ushtrimet e mjaftueshme fizike mund t’i zbusin efektet e ushqimit jo ideal. Megjithatë, një studim i ri ka vërtetuar se konsumimi i rregullt i ushqimeve të pashëndetshme, në fakt mund ta rrisë rrezikun për t’u prekur nga sëmundjet fatale, raporton portali “Eat This, Not That”.
Sipas studimit të kryer nga hulumtuesit e Universitetit të Sydneyt dhe të publikuar në revistën “BMJ Sports Medicine”, dieta me kualitet të lartë duhet t’i përfshijë të paktën katër gota e gjysmë fruta dhe perime në ditë, dhe të paktën dy pjata të ushqimit në javë të përbëhen nga mishi i peshkut. Në anën tjetër dietat jokualitative përbëhen kryesisht nga sasi të larta të mishit të kuq, produktet e procesuara dhe mungesa e frutave, perimeve dhe peshkut.
Pas analizimit të të dhënave, hulumtuesit zbuluan se ushtrimet fizike, vetëm të shoqëruara me një dietë të shëndetshme, mund ta ulin rrezikun e prekjes nga sëmundjet fatale për 17 për qind. Kurse dietat jokualitative e rrisin rrezikun e vdekjes. Personat që kanë dietë të tillë janë më të rrezikuar nga sëmundjet kardiovaskulare dhe kanceri.
Përfundimisht një dietë e pashëndetshme nuk mund të rregullohet vetëm me stërvitje. Prandaj ekspertët shëndetësorë rekomandojnë që për rezultate positive, t’i kushtohet një kujdes i shtuar stilit të përgjithshëm jetësor.