Lifestyle

Kjo dietë mund ta ndalojë kancerin kolorektal

Kur i zgjidhni vaktet që do t’i hani gjatë ditës, sugjeroheni që përveç shijes, ta merrni parasysh se si ato ushqime ju ndihmojnë për shëndetin e trurit dhe zemrës. Megjithatë, ju gjithashtu mund të jeni të interesuar se si dieta juaj mund të ndihmojë në parandalimin e kancerit. Në të vërtetë, ndërsa ka dieta të tilla që janë të mbushura me sheqer ose me mish të kuq, siç është dieta perëndimore, e cila mund ta rrisë rrezikun e kancerit kolorektal, dieta keto mund të ndihmojë në luftimin e kësaj sëmundje vdekjeprurëse.

Në një studim të ri të publikuar së fundmi në gazetën “Nature”, hulumtuesit kanë zbuluar se njerëzit që e ndjekin dietën keto e fitojnë një molekulë të quajtur beta-hidroksibutirat (BHB), që mund ta parandalojë rritjen e tumoreve të zorrëve, raporton portali “Eat This, Not That”. BHB është një molekulë e vogël e prodhuar në mëlçi.

Kurse dieta perëndimore është e pasur me karbohidrate të rafinuara dhe sheqerna, që e rrisin rrezikun e obezitetit, sëmundjeve të zemrës, diabetit, kancerit dhe sëmundjeve të tjera kronike.

Përtej kësaj, dieta perëndimore dihet se përmban sasi të madhe të produkteve shtazore, dhe shumë pak ushqime me bazë bimore.

Shëndeti optimal i zorrëve mbështetet në një dietë të pasur me fibra dhe ushqime bimore për të ruajtur integritetin e zorrëve. Kur dëmtohet shëndeti i zorrëve, rritet rreziku ndaj inflamacionit dhe sëmundjeve kronike, duke përfshirë kancerin kolorektal dhe llojet tjera të kësaj sëmundjeje.

Ekspertët shëndetësorë thonë se personat që janë duke u trajtuar për kancer, mund t’i përjetojnë një sërë efektesh anësore duke përfshirë të vjella, diarre, kapsllëk si dhe humbje të oreksit, që do të thotë se ata nuk mund të hanë gjithçka, aq më pak ta ndjekin një dietë kufizuese.

Nganjëherë karbohidratet janë e vetmja gjë që ata mund t’i tolerojnë, megjithatë dietat tradicionale keto lejojnë përdorimin e më pak se 50 gramë karbohidrate në ditë.

Çdo pacient i prekur me kancer përballet me çështje individuale që lidhen me ushqimin, prandaj dietologu me të cilin ata punojnë duhet të krijojë plane diete të personalizuara, për ta maksimizuar ushqimin e mirë dhe për ta mbajtur pacientin të fortë për ta luftuar betejën me kancerin.