Fikni të gjitha dritat në dhomë para se të flini nëse dëshironi të shmangni diabetin dhe sëmundjen e zemrës, kanë thënë shkencëtarët në një studim të fundit.
Sipas sugjerimit të tyre, dështimi për të bllokuar dritën gjatë gjumit mund të rrisë rrahjet e zemrës gjatë gjumit në nivelin e rrahjeve gjatë ditës. Kjo mund të ndikojë edhe se sa mirë i përgjigjet trupi insulinës (hormonit që rregullon metabolizmin e karbohidrateve) në mëngjes.
Shkencëtarët nga Universiteti Veriperëndimor në Illinois të SHBA-së kanë thënë se të dy këta faktorë mund të ndikojnë në rritjen e rrezikut për sëmundje të zemrës dhe diabetit.
Një eksperiment me 20 të rritur tregoi se mjaftoi vetëm një natë me pak dritë për të kuptuar efektet që ia sjell organizmit. Gjetjet kanë bërë që ekspertët t’u kërkojnë njerëzve të rivlerësojnë ndriçimin në dhomat e gjumit.
Autorja e studimit, Dr. Phyllis Zee, ka thënë se njerëzit që kanë nevojë për pak dritë – për shembull të moshuarit që duan të shmangin pasiguritë – mund të përdorin një dritë të zbehtë që shihet vetëm kah dyshemeja.
Të pasurit gjumë të parehatshëm shpesh lidhet me probleme tjera mjekësore, përfshirë mbipeshën dhe depresionin.
Në studimin e publikuar në gazetën PNAS, hulumtuesit krahasuan ndikimin e gjumit me dritë të ndezur të moderuar dhe me gjumë nën dritë të zbehtë. Eksperimenti ndau 10 të rritur në një natë me dritë të zbehtë dhe një natë me dritë të moderuar. 10 të tjerët fjetën vetëm në dhomë me dritë të zbehtë për dy net.
Bashkëautorja Dr. Daniela Grimald ka thënë se njerëzit që fjetën me dhomën me dritë më të madhe kishin më shumë të rrahura të zemrës se ata që fjetën në dritë të zbehtë.
“Edhe kur jeni duke fjetur, sistemi nervor autonom është i aktivizuar. Kjo është keq”, ka thënë ajo. “Zakonisht, të rrahurat e zemrës bashkë me parametrat tjerë kardiovaskularë janë më të ulët gjatë natës dhe më të lartë gjatë ditës”.
Ndryshimi në ritmin e të rrahurave të zemrës, që zakonisht gjatë natës bien kur njeriu është në gjumë, mund të jetë lajm i keq për shëndetin e zemrës si organ sepse nuk pushon aq sa i nevojitet.
Ekspertët kanë gjetur se drita gjatë gjumit dhe mospushimi i organizmit ndikon edhe në rritjen e rezistencës ndaj insulinës trupore, gjë që mund të çojë në rritje të nivelit të sheqerit në gjak, si rrezik për zhvillim të diabetit.