Kulturë

“Luani i Artë” i Venecias për Pavijonin e Bahrejnit që alarmon valën e nxehtësisë

Ekipi i Pavijonit të Bahrejnit i cili të shtunën mori “Luanin e Artë” të Bienales Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecie (Foto: Bienalja e Venecias)

Ekipi i Pavijonit të Bahrejnit i cili të shtunën mori “Luanin e Artë” të Bienales Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecie (Foto: Bienalja e Venecias)

Me alarmin për nxehtësinë ekstreme dhe propozimin e formulës për zgjidhje, Pavijoni i Bahrejnit të shtunën ka marrë “Luanin e Artë” në edicionin e 19-të të Bienales Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia, për atë që njihet si përfaqësim midis shteteve. “Heatwave” është titulli i instalacionit fitues në ngjarjen madhore ku përfaqësohen 66 shtete në mesin e të cilave edhe Kosova me “Lulebora nuk çel më. Asamble në shpërfaqje” të arkitektes Erzë Dinarama. Me ndarjen e çmimeve, Bienalja ka hapur zyrtarisht dyert edhe për vizitorë

Alarmi për valën e të nxehtit vjen fuqishëm nga Bahrejni në Bienalen Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia. Titulli është i thjeshtë: “Heatwave”. E për këtë vepër, Pavijoni i këtij shteti ka marrë “Luanin e Artë” për përfaqësimin më të mirë shtetëror në edicionin e 19-të të ngjarjes madhore e cila me ndarjen e çmimeve të shtunën ka hapur dyert edhe për vizitorë.

Kuruar nga arkitekti Andrea Faraguna dhe i vendosur në Arsenale, pavijoni trajton çështjen urgjente globale të nxehtësisë ekstreme. Sipas konceptit, nëpërmjet instalacionit specifik, “Heatwave” riimagjinon dizajnin e hapësirës publike “duke eksploruar strategjitë e ftohjes pasive të rrënjosura në realitetet klimatike dhe kontekstin kulturor të Bahrejnit. Projekti synon të ofrojë një përgjigje arkitekturore spekulative por të bazuar në urgjencën mjedisore që i jep formë jetës së sotme urbane”.

Sipas arsyetimit të Jurisë ndërkombëtare  “Pavijoni ofron propozim të zbatueshëm për kushte ekstreme të nxehtësisë”.

“Siç e shpjegojnë projektuesit, arkitektura duhet të adresojë sfidat e dyfishta të qëndrueshmërisë mjedisore. Zgjidhja gjeniale mund të vendoset në hapësira publike dhe në vende ku njerëzit duhet të jetojnë dhe punojnë jashtë në kushte të nxehtësisë ekstreme. Pavijoni përdor metoda tradicionale të ftohjes pasive tipike të rajonit dhe të kujtojnë kullat e erës dhe oborret me hije”, shkruhet në arsyetimin e Jurisë. Ceremonia ndarjes së çmimeve është transmetuar direkt në platformat e Bienales.

Në krye të jurisë ka qenë kuratori zviceran, kritiku e historiani i artit Hans Ulrich Obrist dhe me anëtarë kuratoren e hulumtuesen në “MoMa”, Paola Antonelli si dhe arkitekten, ligjëruesen e kuratoren Mpho Matsipa nga Afrika e Jugut.

Pavijoni i Bahrejnit në edicionin e 19-të të Bienales Ndërkombëtare të Arkitekturës i cili të shtunën ka marrë “Luanin e Artë” në 66 pavijoneve shtetërore (Bienalja e Venecias)

Pavijoni i Bahrejnit eksploron efektin e rritjes së temperaturave globale në vendet me ndërtime të ngarkuara. Vepra ndërtohet nga një tavan i projektuar për të krijuar një mikroklimë në hapësirë.

Filozofja amerikane Donna Haraeay është  vlerësuar me “Luanin e Artë” për arritje jetësore. 

“Donna Haraway është një nga zërat më me ndikim në mendimin bashkëkohor, duke u shtrirë në shkencat sociale, antropologji, kritikën feministe dhe filozofi të e teknologjisë. Gjatë katër dekadave të fundit, ajo ka eksploruar në mënyrë multidisiplinare dhe me një kapacitet të vazhdueshëm për shpikje gjuhësore, çështje të tilla si ndikimi i evolucionit teknologjik në natyrën tonë biologjike”, shkruhet midis tjerash në arsyetimin e Jurisë.

Ndërsa arkitektit e dizajnerit italian, Italo Rota, që vdiq më 6 prill të vitit të kaluar i është ndarë post-mortem,  “Luani i Artë” special për arritje jetësore.

Në arsyetimin e jurisë thuhet se “vizioni i tij ishte ai i një bote në të cilën rëndësia e qenieve të gjalla dhe biologjisë në përgjithësi, natyra në përkufizimin më të gjerë të mundshëm, dhe së fundmi shkenca dhe teknologjia e aplikuar, bashkoheshin në një entitet të vetëm që merrte frymë”.

Dy “Special Mention” për pjesëmarrje kombëtare iu dhanë Pavijonit të Selisë së Shenjtë dhe atij të Britanisë.

Sa i përket Ekspozitës Ndërkombëtare të edicionit të 19-të të kuruar nga Carlo Ratti me temën “Intelligens. Natural. Artificial. Collective”, “Luanin e Artë” e ka marrë vepra “Canal Café”. Vepra është punuar nga studiot “Diller Scofidio + Renfro”, “Natural Systems Utilities”, “SODAI”,  Aaron Betsky dhe Davide Oldani.

Juria ka vlerësuar se vepra është demonstrim sesi qyteti i Venecias mund të jetë laborator për të spekuluar se si të jetohet në ujë. Është vlerësuar si kontribut për hapësirën publike të Venecias.

“Jep propozime për lagunën e Venecias dhe lagunat tjera. E njohim këmbënguljen e jashtëzakonshme të projektit ‘Canal Cafe’, i cili filloi pothuajse 20 vjet më parë. Është një shembull që Bienalja mund të jetë një projekt me kohëzgjatje dhe të shkojë përtej ngjarjes”, ka vlerësuar juria.

“Luani i Argjendtë” i është ndarë veprës me titull “Calculating Empires: A Genealogy of Technology and Power Since 1500” të punuar Kate Crawford dhe Vladan Joler. Sipas jurisë, rëndësia e veprës është që e bën të dukshmen të padukshme si në hapësirë ashtu edhe në kohë.

“Heatwave” riimagjinon dizajnin e hapësirës publike “duke eksploruar strategjitë e ftohjes pasive të rrënjosura në realitetet klimatike dhe kontekstin kulturor të Bahrejnit” (Foto: Bienalja e Venecias)

“Ky manifest vizual gjerësisht tregon infrastrukturat digjitale dhe sociale që zhvillohen bashkë gjatë shekujve, duke kuptuar ngatërresat e pushtetit dhe teknologjisë – kolonializmi, militarizimi, automatizimi dhe mbyllja. Ajo ofron një histori të pasur të teknologjisë së sotme. Ky diagram i jashtëzakonshëm është një pajisje për të kuptuar më mirë të tashmen tonë dhe për të ndërtuar të ardhme alternative”, ka vlerësuar juria.

Dy “Special Mention” sa i përket ekspozitës janë ndarë për veprat “Alternative Urbanism: The Self-Organized Markets of Lagos” të Tosin Oshinowo dhe “Oshinowo Studio” si dhe për veprën me titull “Elephant Chapel” nga Boonserm Premthada.

Kosova në Bienalen e Venecias përfaqësohet me instalacionin “Lulebora nuk çel më. Asamble në shpërfaqje” të arkitektes Erzë Dinarama. Bëhet fjalë për shuarjen e një luleje shkaku i ndryshimeve klimatike në Kosovë. E kjo ndjesi i pret vizitorët e Bienales Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecie. Zyrtarisht, Pavijoni i Kosovës është hapur pasditen e së enjtes në hapësirën ekspozuese Arsenale. Shteti më i ri i Evropës ka çuar marrëdhënien sfiduese që është duke krijuar njeriu me natyrën. Hulumtimi bazohet në vizita të ndryshme në Kosovë e biseda me bujq. Dinarama është thelluar në marrëdhënien e bujqve me tokën dhe ndryshimet e përshkruara prej tyre, ajo i ka vizualizuar në “Lulebora nuk çel më. Asamble në shpërfaqje”.

“Inteligjencë. Natyral. Artificial. Kolektiv”, është tema e edicionit të sivjetmë të ekspozitës ndërkombëtare të Bienales, me kurator arkitektin Carlo Ratti.  

Në konferencën e mbajtur të enjten paradite, kuratori Ratti kishte thënë se në këtë edicion po provojnë që Bienalja të jetë laborator dhe thirrje për aksion në raport me ndryshimet klimatike.

Pos ekspozitës kolektive, sivjet në ngjarjen më të madhe të arkitekturës në botë përfaqësohen edhe 66 shtete nëpërmjet pavijoneve kombëtare. Kosova ndër vite ka dërguar copëza të saj në këtë ngjarje botërore.

Sa i përket Ekspozitës Ndërkombëtare të edicionit të 19-të të kuruar nga Carlo Ratti me temën “Intelligens. Natural. Artificial. Collective”, “Luanin e Artë” e ka marrë vepra “Canal Café”

Marrëdhënia e Kosovës me Bienale ka nisur më 2012, kur debutoi me “Punuesi i filigranit”, të kuratorit Përparim Rama, tash kryetar i Prishtinës. Instalacioni mëtonte të hidhte dritë mbi trashëgiminë kulturore të Kosovës. Më 2014, Gëzim Paçarizi kishte përfaqësuar Kosovën me “Visibility (imposed modernism)” (Dukshmëria - Modernizmi i imponuar). Kulla e punuar nga 720 stola përcillte historinë arkitekturore të Prizrenit. Dy vjet më vonë, sherri i Ministrisë së Kulturës që nuk ishte kujdesur për procedurat, Kosova s’u përfaqësua, për t’u rikthyer më 2018 me Eliza Hoxhën, me veprën “Qyteti është gjithandej”, që zhvendosi atje shtëpinë kosovare të viteve ’90. Në edicionin e 2020-ës, Maksut Vezgishi me “Containporary” zbërthente pyetjen se si mund të jetojmë së bashku. Kurse më 2023, Poliksen Qorri-Dragaj dhe Hamdi Qorri, me temën “RKS2 Transcedent Locality” (RKS2 Lokaliteti Transcendent) kishin trajtuar fenomenin e migrimit dhe ndikimin e tij në arkitekturën e qyteteve.

Bienalja Ndërkombëtare e Arkitekturës në Venecie, është ngjarja më madhore e këtij lloji, krahas Bienales Ndërkombëtare të Artit. Vitin e kaluar në edicionin e 60-të të saj, Kosova ishte përfaqësuar me “Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës”    artistes së gjeneratës së re, Doruntina Kastrati, nën kurimin e Erëmirë Krasniqit e me komisionere Hana Halilajn. Ishte përfaqësimi i gjashtë i Kosovës në Bienalen e Artit që kulmoi me sukses. Pavijoni i Kosovës në garë me 80 shtete mori “Mirënjohje Speciale” në edicionin e 60-të, ku “Luanin e Artë” e mori Australia.

Në këtë Bienale – për të cilën tashmë është hapur thirrja për edicionin e 61-të më 2026 – Kosova debutoi më 2013 me Petrit Halilajn, që ishte paraqitur me instalacionin “Jam i untë me të pasë ngat. Po du me i gjetë fjalët që më ngopin, por në fund s’mbetet tjetër pos nji qark i mbyllun. Ironia asht që ti nuk je këtu, asni gja nuk asht këtu”. Më 2015-n, përfaqësuese e Kosovës ishte artistja Flaka Haliti me veprën “Speculating in the blue” (Spekulim në të kaltër). Më 2017 ishte Sislej Xhafa me veprën “Lost and Found”, një thirrje e fuqishme për fatin e të zhdukurve gjatë luftës. Me histori lufte, Kosova ishte përfaqësuar edhe më 2019-n nga Alban Muja me “Family Album” (Albumi familjar). Më 2022, Jakup Ferri do të trajtonte “Monumentalitetin e përditshmërisë”.