Lifestyle

“Pfizeri” mbron fëmijët edhe nga Omicroni

Vaksina e “Pfizerit” kundër COVID-19 për fëmijët nga mosha 5-vjeçare e lart u ka dhënë atyre mbrojtje të fortë kundër vdekjeve dhe hospitalizimit, madje edhe gjatë përhapjes së Omicronit që i godiste të rinjtë goxha rëndë, kanë raportuar zyrtarët shëndetësorë të Shteteve të Bashkuara të martën.

Të dhënat e reja nga Qendra për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve erdhën një ditë pas studimit te fëmijët në Nju-Jork, ku u raportua se vaksina nuk mund të jetë edhe aq efektive në moshat 5-11 vjeç ashtu siç do të ishte në grupmoshat më të mëdha – sidomos në ndalimin e infeksioneve më të lehta. Këto të dhëna ngritën pikëpyetje të shumta në atë se nëse doza e fëmijëve e paraparë për fëmijët nën moshën 12 vjeç mund të ishte e ulët.

Mirëpo Qendra për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve ka njoftuar se të dhënat nga shtetet e ndryshme kanë bërë të ditur se problemi nuk qëndron te mosha e fëmijëve a te sasia e dozës – është Omicroni. Vaksinimi në përgjithësi është më pak efektiv kundër këtij varianti që përhapet tejet shpejt sesa nga variantet e mëhershme të koronavirusit – kurse vaksinimet për grupmoshat nga 5 deri në 11 vjeç filluan vetëm pak javë para se Omicroni të qarkullonte.

“Si prind i një fëmije shumë të vogël, mendoj se do të bëja gjithçka ta mbaja larg departamentit të emergjencës në mes të natës”, ka theksuar epidemiologia e Qendrës, Ruth Link- Gelles. “Nga të dhënat që posedojmë, kuptojmë se vaksina vazhdon të ofrojë mbrojtje të mirë edhe ndaj sëmundjeve që mund të rezultojnë më të rënda”.

Sipas pediatreve rezultatetlëkundëse mund të jenë konfuze, ama prindërit duhet ta kuptojnë që vaksinat janë ende mënyra më e mirë për t’i parandaluar sëmundjet më të rënda.

“Në qoftë se jeni i vaksinuar, prapë mund ta merrni një infeksion të lehtë, e ne thjesht duhet të mësohemi të jetojmë me këtë”, ka thënë dr. Paul Offit nga spitali i fëmijëve në Filadelfia.

Ai ka treguar se studimi i Nju-Jorkut ishte shumë i vogël për të nxjerrë përfundime dhe gjithashtu nuk mund të llogarisë në variabla të tilla si infeksionet që nuk numërohen te fëmijët e testuar në shtëpi në vend të një klinike. Ai ka bërë të ditur se të rinjtë e pranuar në spitalin e tij me COVID-19 më të rëndë janë të pvaksinuar “dhe kërkon më shumë punë kujdesi ndaj tyre”.

Qendra për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve të martën ka raportuar se mes muajit prill dhe fillimit të janarit ka pasur nëntë vdekje të lidhura me COVID-19 në mesin e fëmijëve të vaksinuar të moshave 5 deri 17 vjeç – në krahasim me 121 vdekje në mesin e atyre të pavaksinuarave të kësaj moshe.

Po ashtu, Qendra për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve ekzaminoi shtrimet pediatrike në 10 shtete nga prilli i kaluar deri në fund të janarit. Vaksina ka rezultuar 74% efektive kundër shtrimit në spital te fëmijët e moshës 5 deri 11 vjeç. Vetëm dy fëmijë u hospitalizuan krahasuar me 59 të tjerë të pavaksinuar.

Në krahasim, vaksina ishte 92% deri në 94% efektive kundër shtrimit në spital te 12 deri në 15%vjeç dhe 16 deri në 17 vjeç. Shumica e shtrimeve në spital tek adoleshentët ndodhën kur varianti i mëparshëm Delta ishte dominues, teksa shumica e shtrimeve në spital të atyre më të rinj se 12 vjeç ndodhën gjatë valës Omicron, e cila nisi në fillim të dhjetorit.

Studimi i së martës zbuloi gjithashtu se gjatë kohës kur Omicron mbizotëronte, vaksina ishte 51% efektive në parandalimin e vizitave në dhomën e urgjencës ose të kujdesit urgjent nga mosha 5 deri në 11 vjeç. Kjo ishte mjaft e ngjashme me efektivitetin 45% për 12 deri në 15-vjeçarët që kishin marrë dozën e dytë muaj më parë.

Po rezultatet më pak serioze?

Një raport i publikuar të hënën nga studiues të departamentit të shëndetit shtetëror të Nju-Jorkut i ka analizuar të dhënat shëndetësore javë pas jave nga fillimi i dhjetorit deri në fund të janarit. Efektiviteti i vaksinës kundër çdo infeksioni COVID-19 ra nga 68% në vetëm 12% me lartësinë e valës së Omicronit. Ama te fëmijët 12 vjeç e lart, ky efektivitet ra në vetëm 51%.

Çuditërisht, të dhënat sugjeruan se 12-vjeçarët dukej se kishin mbrojtjen më të madhe të çdo moshe – duke i shtyrë studiuesit të pyesnin në rast se doza duhet të rishqyrtohet.

Vaksina “Pfizer” është e vetmja vaksinë e disponueshme për fëmijët e SHBA-së dhe ata të moshave 5 deri në 11 vjeç marrin një të tretën e dozës që u jepet të gjithëve 12 vjeç e lart. Gjithashtu, të gjitha grupmoshat nga 12 vjeç e lart nxiten t’i marrin edhe dozat përforcuese për ta rritur mbrojtjen kundër Omicronit.

Studimi i fundit i Qendrës nuk i gjurmoi infeksionet në të njëjtën mënyrë, por Link-Gelles tha se të dhënat e mbikëqyrjes nga 29 shtete të tjera nuk sugjerojnë një ndryshim midis fëmijëve më të vegjël dhe më të mëdhenj.

Sipas të dhënave të reja, mosha 5 deri në 11 vjeç të pavaksinuar kishin 1.3 herë më shumë gjasa për t'u infektuar me COVID-19 - në kulmin e rritjes së Omicronit - sesa të rinjtë e vaksinuar. Për 12 deri në 17 vjeç, të pavaksinuarit kishin 1.5 herë më shumë gjasa të merrnin COVID-19 sesa bashkëmoshatarët e tyre të vaksinuar atë muaj.

Është zhgënjyese që mbrojtja kundër infeksionit nuk është më e lartë dhe mund të duhen më shumë kërkime për të treguar nëse fëmijët më të vegjël mund të jenë më mirë me një dozë të ndryshme, tha dr. Richard Besser, pediatër dhe themelues i fondacionit “Robert Wood Johnson”, i cili nuk ishte i përfshirë në studimet e reja.

“Pfizer” aktualisht po teston një dozë përforcuese për fëmijët 5 deri në 11 vjeç.

Mirëpo, ndërkohë, “ne e dimë se këto vaksina janë të sigurta, e dimë se ato reduktojnë rrezikun e shtrimit në spital”, theksoi Besser.

Përktheu: Blerta Haxhiu