Lifestyle

Evropa shqyrton strategjinë e re të COVID-19: ta pranojë virusin

Kur koronavirusi u shfaq për herë të parë, spanjollët u urdhëruan të rrinë në shtëpi për më shumë se tre muaj. Me javë të tëra atyre nuk u lejohej të dilnin, madje as për ushtrime. Fëmijëve iu ndalua parku i lodrave e ekonomia në mënyrë virtuale ndaloi.

Ama zyrtarët i kishin vlerësuar këto masa drakoniane për parandalimin e një kolapsi të plotë në sistemin shëndetësor. U shpëtuan jetë nga kjo, kishin argumentuar ata.

Tani, thuajse dy vjet më vonë, Spanja po përgatitet për t’iu përshtatur një rregulli tjetër të COVID-19. Me një nga shkallët më të larta të vaksinimit dhe ekonomitë e saj më të goditura, qeveria po hedh bazat për të trajtuar rritjen e ardhshme të infeksionit jo si një emergjencë, por si një sëmundje që është këtu për të qëndruar. Hapa të tillë po merren në konsideratë edhe në vendet fqinje, Portugali dhe Britani.

Ideja është që të kalojmë nga gjendja e krizës në atë të kontrollit, duke iu qasur virusit në të njëjtën mënyrë që disa vende trajtojnë gripin ose fruthin. Kjo nënkupton të pranohet se infeksionet do të ndodhin dhe të ofrohet një kujdes më i veçantë për njerëzit me rrezik për komplikime.

Kryeministri i qendrës së majtë të Spanjës, Pedro Sánchez, dëshiron që Bashkimi Evropian të marrë në konsideratë ndryshime të ngjashme tani që rritja e variantit Omicron ka treguar se sëmundja po bëhet më pak vdekjeprurëse.

“Ajo çka ne po themi është se në muajt a vitet e ardhshme neve do të na duhej të mendonim e të vepronim pa hezitim sipas asaj çka shkenca na tregon, si ta menaxhojmë pandeminë me parametra të ndryshëm”, ka thënë ai të hënën.

Sánchez ka bërë të ditur se ndryshimet nuk duhet të ndodhin para se rritja e Omicronit të mbarojë, mirëpo zyrtarët duhet të fillojnë të formësojnë botën pas pandemisë tani: “Po i bëjmë detyrat e shtëpisë duke parashikuar skenarë”.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar se është shumë herët për të marrë në konsideratë një ndryshim të menjëhershëm. Organizata nuk ka kritere të përcaktuara qartë për shpalljen e COVID-19 një sëmundje endemike, mirëpo ekspertët e vet kanë thënë më parë se kjo do të ndodhë kur virusi të jetë më i parashikueshëm dhe kur nuk do të ketë shpërthime të qëndrueshme.

“Disi është një gjykim subjektiv, ngaqë nuk ka të bëjë vetëm me numrat e rasteve. Ka të bëjë me ashpërsinë dhe ndikimin që ka”, ka thënë dr. Michael Ryan, shef i emergjencave të OBSH-së.

Teksa fliste në një panel të Forumit Ekonomik Botëror të hënën, dr. Anthony Fauci, mjeku kryesor i sëmundjeve infektive në SHBA, ka thënë se COVID-19 nuk mund të konsiderohet endemik derisa të bjerë “në atë nivel që nuk e dëmton shoqërinë”.

Qendra Evropiane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ka këshilluar vendet që të kalojnë në një trajtim më rutinë të COVID-19 pas përfundimit të fazës akute të pandemisë. Agjencia ka theksuar në një deklaratë se më shumë shtete të BE-së përveç Spanjës do të duan të miratojnë "një qasje më afatgjate dhe të qëndrueshme të mbikëqyrjes".

Pak më shumë se 80% e popullsisë së Spanjës ka marrë një dozë të dyfishtë vaksine dhe autoritetet janë të përqendruara në rritjen e imunitetit të të rriturve me doza të treta.

Imuniteti i fituar nga vaksina, i shoqëruar me infeksionin e përhapur, ofron një shans për të përqendruar përpjekjet parandaluese, testimin dhe gjurmimin e sëmundjeve në grupet me rrezik të moderuar deri në të lartë, ka treguar dr. Salvador Trenche, kreu i Shoqatës Spanjolle të Mjekësisë Familjare dhe Komunitare, shoqatë e cila ka udhëhequr thirrjen për një përgjigje të re endemike.

COVID-19 “duhet të trajtohet si krejt sëmundjet e tjera”, ka thënë Trenche për Associated Press, duke shtuar që kjo “vëmendje e normalizuar” nga profesionistët shëndetësorë do të ndihmonte në reduktimin e vonesave në trajtimin e problemeve që nuk kanë lidhje me koronavirusin.

Publiku gjithashtu duhet të pajtohet me idenë se disa vdekje nga COVID-19 "do të jenë të pashmangshme", ka spikatur Trenche.

"Ne nuk mund të bëjmë në valën e gjashtë atë që po bënim në të parën: modeli duhet të ndryshojë nëse duam të arrijmë rezultate të ndryshme", ka thënë ai.

Ministria spanjolle e Shëndetësisë tha se ishte shumë herët për të ndarë ndonjë plan që po hartohej nga ekspertët dhe këshilltarët e saj, por agjencia konfirmoi se një propozim është të ndiqet një model ekzistues që përdoret aktualisht në BE për monitorimin e gripit.

Strategjia është quajtur "gripizimi" i COVID-19 nga mediat spanjolle, megjithëse zyrtarët kanë bërë të ditur se sistemet për gripin do të duhej të përshtateshin ndjeshëm me koronavirusin.

Tani për tani diskutimi për kalimin në një qasje endemike është i kufizuar në kombet e pasura që mund të përballojnë të flasin për më të keqen e pandemisë në kohën e kaluar.

Nuk është gjithashtu e qartë se si një strategji endemike do të bashkëjetonte me qasjen "zero-Covid" e miratuar nga Kina dhe vendet e tjera aziatike dhe si do të ndikonte kjo në udhëtimet ndërkombëtare.

Shumë vende të mbingarkuara nga numri rekord i rasteve të Omicronit tashmë po heqin dorë nga testimet masive dhe shkurtimi i kohës së karantinës, veçanërisht për punëtorët që tregojnë jo më shumë se simptoma të ngjashme me të ftohtin. Që nga fillimi i vitit mësimet në shkollat spanjolle ndalojnë vetëm nëse ndodhin shpërthime të mëdha, jo me rastin e parë të raportuar si dikur.

Në Portugali, me një nga normat më të larta të vaksinimit në botë, presidenti Marcelo Rebelo de Sousa deklaroi në një fjalim të Vitit të Ri se vendi kishte "kaluar në një fazë endemike". Mirëpo debati mbi masat specifike u shua pasi përhapja u përshpejtua në nivele rekord - pothuajse 44.000 raste të reja në 24 orë të raportuara të martën.

Përktheu: Blerta Haxhiu