Lifestyle

Si një skanim i syrit mund të tregojë a do të vdisni në dekadën e ardhshme

Skanimi i syve mund të përdoret në të ardhmen për të kalkuluar rreziqet për vdekje, kanë sugjeruar ekspertët.

Akademikët kanë deklaruar se retina vepron si ‘dritare’ për t’i lejuar doktorët të shohin më thellë shëndetin e dikujt. Dhe shkencëtarët australianë tani kanë lidhur një “dallim në moshë në retinë” me rreziqet më të mëdha për vdekje.

Dallimi kalkulohet në mes të moshës kronologjike të dikujt dhe asaj së vlerësuar biologjike të retinës. Mosha biologjike e retinës kalkulohet nga një program i inteligjencës artificiale që analizon imazhet e marra të sipërfaqes së pasme të syrit.

Sipas të dhënave, që ekspertët thonë se u kanë dalë të sakta, sa më i madh ishte dallimi në mes të dy “moshave”, aq më i lartë ishte rreziku për vdekje.

Akademikët kalkuluan se ka pasur 2 për qind rritje të rrezikut për vdekje për çdo vit që shtohej në dallim mes dy moshave. Shkencëtarët nga Qendra për Hulumtime të Syrit në Melbourne kanë arritur ta krijojnë një algoritëm që parashikon moshën e retinës duke ia dhënë rreth 19 mijë skanime. Parashikimet e programit dolën të jenë të sakta, duke iu afruar moshës aktuale të dikujt deri në 3 vjet e gjysmë. Ekipi më pas i hulumtoi dallimet në moshë të retinës për 36 mijë pjesëmarrësit. Më shumë se gjysma kishin retinë që u tregonte moshë tre vjet më të vjetër se mosha e tyre biologjike. Disa retina ishin një dekadë më të moshuara, sipas hulumtimit të publikuar në “British Journal of Ophthalmology”.

Më pas këto u krahasuan me të dhënat shëndetësore të pjesëmarrësve duke i ndërlidhur me shkaktarët e vdekjeve me dallimet në moshën e retinës. Gjatë kësaj kohe, 1800 prej pjesëmarrësve vdiqën. Shumica nga kanceri, demenca apo sëmundjet e zemrës. Ata që kishin dallim më të madh në moshën e retinës kishin 49-67 për qind të rrezikut më të madh për vdekje nga sëmundjet tjera pos sëmundjes së zemrës apo kancerit.

“Gjetjet sugjerojnë se mosha e retinës mund të jetë shënjues biologjik i plakës. Retina ofron një ‘dritare’ të qasshme, unike që mund të vlerësojnë proceset patologjike të sëmundjeve vaskulare dhe neurologjike që shoqërohen me rritje të rrezikut të vdekshmërisë”, ka thënë Lisa Zhuoting Zhu, një nga autoret.

Skanimi i retinës, shtresës nervore prapa syrit, më herët ishte përdorur për të detektuar shenjat paralajmëruese të sëmundjeve kardiovaskulare.