Stresi i punës dhe shqetësimet për paratë mund të rrisin rrezikun për të pasur një sulm në tru apo në zemër deri në 30 për qind, paralajmëron një studim i ri.
Nga një mostër ndërkombëtare prej më shumë se 100.000 njerëzve, studiuesit në Suedi kanë lidhur rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare me nivelet e larta të stresit.
Ekspertët nuk mund të shpjegojnë përfundimisht lidhjen që kanë gjetur, apo edhe nëse nivelet e larta të stresit janë shkaku i sëmundjeve kardiovaskulare.
Megjithatë, studimet e mëparshme tashmë sugjerojnë se nivelet e larta të kortizolit nga stresi afatgjatë mund të rrisin kolesterolin në gjak, trigliceridet, sheqerin në gjak dhe presionin e gjakut.
Rreziku i sëmundjeve kardiovaskulare rritet me ndjenjat e perceptuara të stresit, problemeve financiare dhe ngjarjeve negative të jetës, thonë ekspertët e Universitetit të Goteborgut.
Sëmundja kardiovaskulare (CVD) është një term i përgjithshëm për kushtet që prekin zemrën ose enët e gjakut.
Zakonisht shoqërohet me një grumbullim të depozitave yndyrore brenda arterieve (arterosklerozë) dhe një rrezik në rritje të mpiksjes së gjakut.
Mund të shoqërohet gjithashtu me dëmtime të arterieve në organe si truri, zemra, veshkat dhe sytë.
Të gjitha sëmundjet e zemrës janë sëmundje kardiovaskulare, por jo të gjitha sëmundjet kardiovaskulare janë sëmundje të zemrës.
“Nuk dihet saktësisht se çfarë e shkakton rritjen e rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare tek njerëzit me stres të rëndë”, tha autorja e studimit Annika Rosengren, një profesoreshë e mjekësisë në Universitetin e Goteborgut. “Por shumë procese të ndryshme në trup, si arteroskleroza dhe mpiksja e gjakut, mund të ndikohen nga stresi. Nëse duam të zvogëlojmë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare globalisht, duhet ta konsiderojmë stresin si një tjetër faktor rreziku të modifikueshëm”, tha ajo./KSP