Lifestyle

Pandemia po sfidon rëndë “Gjeneratën Z”

Në përgjithësi, më shumë se një e treta e amerikanëve të moshës 13-56 vjeç e përmendin pandeminë si burim kryesor stresi, e shumë të tjerë kanë thënë se kjo ka bërë disa pjesë të jetës së tyre më të vështirë. Mirëpo kur bëhet fjalë për edukimin, shoqëritë dhe takimet, shkëputja ka pasur një ndikim të theksuar në mesin e “Gjeneratës Z”

Izolim. Ankth. Pasiguri. Stresi i pandemisë së koronavirusit ka shkaktuar barrë tek amerikanët e të gjithave moshave, mirëpo një sondazh i ri tregon se adoleshentët dhe të rinjtë janë përballur me disa nga betejat më të rënda teksa rriten gjatë një kohe trazirash ekstreme.

Në përgjithësi, më shumë se një e treta e amerikanëve të moshës 13-56 vjeç e përmendin pandeminë si burim kryesor stresi, e shumë të tjerë kanë thënë se kjo ka bërë disa pjesë të jetës së tyre më të vështirë. Mirëpo kur bëhet fjalë për edukimin, shoqëritë dhe takimet, shkëputja ka pasur një ndikim të theksuar në mesin e “Gjeneratës Z”, bazuar në sondazhin e ri nga MTV Entertainment Group dhe nga The Associated Press - NORC për Kërkimin e Çështjeve Publike.

Gjysma e amerikanëve me stres

Në mesin e amerikanëve në “Gjeneratën Z” - sondazhi përfshinte moshat 13-24 vjeç – 46% prej tyre kanë treguar se pandemia e ka bërë më të vështirë ndjekjen e qëllimeve të tyre në arsim, e në synimet e tyre të karrierës, krahasuar me 36% të adoleshentëve dhe 31% në “Gjeneratën X”. Kishte edhe një ngecje të ngjashme kur bëhet fjalë për takimet dhe lidhjet romantike, me rreth 40% të “Gjeneratës Z”, që thonë se u është bërë më e vështirë.

45% të “Gjeneratës Z” po ashtu kanë raportuar vështirësi të madhe në mbajtjen e marrëdhënieve të mira me miqtë, në krahasim me 39% të amerikanëve të “Gjeneratës X”. Ndërkohë, shumë adoleshentë gjithashtu kanë theksuar se marrëdhëniet shoqërore ishin më të vështira, “Gjenerata Z” kishte më pak gjasa se adoleshentët të thoshte se pandemia në të vërtetë e bëri atë më të lehtë, 18% me 24%.

Përafërsisht, gjysma e amerikanëve përgjatë brezave, përfshirë edhe “Gjenerata Z”, kanë thënë se pandemia çoi në vështirësi për t’u argëtuar dhe për ta ruajtur shëndetin mendor.

Gjetjet janë në përputhje me atë se çka po shohin ekspertët e shëndetit dhe edukimit. Muaj pas mësimit në distancë dhe ndërveprimi të kufizuar social, adoleshentët dhe të rinjtë janë duke raportuar shkallë të lartë të depresionit dhe ankthit. Shumë prej tyre po ashtu po përballen me pengesa akademike gjatë mësimit përmes internetit.

Ndikimi te fëmijët

Image

Ndikimi i madh te fëmijët është i lidhur pjesërisht me pjesën ku ata janë në zhvillim të trurit të tyre, ka shpjeguar Dr.Cora Breuner, pediatre në Spitalin e Fëmijëve në Seattle. Këto janë periudhat kur njerëzit e shohin rritjen më të madhe në funksionin ekzekutiv- aftësitë mendore komplekse, të nevojshme për të lundruar në jetën e përditshme.

“Është kjo stuhi e përsosur kur keni të mësuarit të izoluar, ndërveprim të zvogëluar shoqëror me bashkëmoshatarët dhe me prindërit që po ashtu po luftojnë me të njëjtën çështje”, ka vënë në dukje Breuner. Kjo do të thotë se, teksa të rinjtë janë mbrapa në shkollë, ata janë gjithashtu prapa edhe me aftësitë e nevojshme për të përballuar stresin dhe për të marrë vendime, ka shtuar ajo.

Për 16-vjeçaren Ivy Enyenihi, vetëm të menduarit rreth vitit të kaluar shkollor është e vështirë. Derisa prindërit e saj vazhdonin punën me prani fizike, ajo kalonte ditë pas dite e vetme në shtëpinë e tyre në Knoxville, Tennessee. Mësimet e saj online gjatë shkollës së mesme përfshinin vetëm dy ditë ndërveprim të drejtpërdrejtë me një mësues, duke e lënë atë të izoluar shumicën e ditëve.

“Jam një person shumë social, dhe mungesa e njerëzve pranë, ishte ajo që me gjasë e bëri këtë më të vështirë”, ka treguar Enyenihi. “Thjesht pandemia bëri gjërat e zakonshme të vështira për t’u bërë. Dhe kjo pa dyshim që më futi në depresion”.

Pasiguria e pandemisë

Image

Deri në semestrin pranveror, ajo po i anashkalonte detyrat dhe po bënte minimumin për t’ia dalë mbanë. Ndihej e shkëputur nga shokët e klasës dhe nga mësuesit në shkollën e saj.

Gjërat filluan të përmirësoheshin kur ajo u kthye fizikisht në mësime këtë vit, ani pse ende është duke u marrë me detyrat e matematikës që i kishte humbur vitin e kaluar, e shpesh pyet veten nëse ka arritur mjaftueshëm për t’u dalluar në aplikimet për kolegj. Në përgjithësi, ndjenja e izolimit është zbehur, megjithëse ka ende kujtime.

“Është ende pjesë e imja”, ka thënë ajo. “Nëse mendoj për atë, më kthehet prapë”.

Pasiguria rreth pandemisë këtë vjeshtë ka qenë një shqetësim kryesor ndër breza, me 35% që e përmendin atë si një burim kryesor stresi. 29% të tjerë kanë thënë se frika e të infektuarit me COVID-19 ishte një stres shumë serioz.

Tanner Boggs, 21-vjeç, ka treguar se pandemia ka lëkundur pothuajse çdo aspekt të jetës së tij. Seniori i Universitetit të Karolinës Jugore ka vënë në pah që mësimet e tij, shëndeti mendor e fizik, të gjithë morën goditje.

Ai ka kaluar shumicën e vitit të kaluar shkollor në dhomën e tij të gjumit në apartamentin e tij, me një motivim të rrënuar që t’i vazhdojë ligjëratat online. Në disa ditë ai zgjohej vetëm për t’u kyçur në ligjëratat e Zoom-it e më pas zvarritej prapë në shtrat. Ankthet iu përkeqësuan kur detyrat si të shkojë në dyqane ushqimore u bënë të padurueshme.

Rrallë dilte jashtë, mirëpo prapëseprapë përfundoi i infektuar me COVID-19 nga shoku i dhomës, duke e lënë me simptoma nga të cilat ende vuan, ka treguar ai.

Pas vaksinimit dhe rikthimit fizik, mësimet e tij dhe shëndeti mendor u përmirësuan. Mirëpo si duket disa marrëdhënie shoqërore janë zbehur, e pjesë nga jeta e tij kanë ndryshuar përgjithmonë.

Përktheu: Blerta Haxhiu