Lifestyle

Kirurgët amerikanë transplantojnë me sukses veshkën e një derri te njeriu

Veshka e përdorur për këtë eksperiment është marrë nga një kafshë e modifikuar gjenetikisht për eliminimin e një lloji të sheqerit, që e nxit refuzimin e organit nga sistemi imunitar i njeriut. Kirurgët arritën që ta lidhin atë me një palë enë të mëdha gjaku jashtë trupit të një marrësi të vdekur dhe e vëzhguan funksionimin e saj për dy ditë radhazi. Në fund doli se veshka e kreu funksionin që duhej ta kryente – i filtroi mbeturinat dhe prodhoi urinë - dhe nuk shkaktoi refuzim

Kirurgët kanë transplantuar me sukses veshkën e një derri te një njeri dhe e kanë shikuar teksa ajo ka filluar që të punojë, në një hap të vogël për kërkimet shumëdekadëshe që synonin përdorimin një ditë të organeve të kafshëve për transplantime që shpëtojnë jetë njerëzish.

Derrat kanë qenë prej kohësh në fokusin më të madh të studimeve për ta adresuar mungesën e organeve, por një lloj sheqeri në qelizat e tyre, i cili është i huaj për trupin e njeriut, e shkakton refuzimin e menjëhershëm të organeve, ka raportuar e përditshmja britanike Guardian.

Veshka e përdorur për këtë eksperiment është marrë nga një kafshë e modifikuar gjenetikisht për eliminimin e këtij sheqeri dhe për ta shmangur sulmin e sistemit imunitar.

Kirurgët arritën që ta lidhin veshkën e derrit me një palë enë të mëdha gjaku jashtë trupit të një marrësi të vdekur dhe e vëzhguan funksionimin e saj për dy ditë radhazi. Guardian ka raportuar se veshka e kreu atë funksion që duhej ta bënte - filtroi mbeturinat dhe prodhoi urinë - dhe nuk shkaktoi refuzim.

“Kishte funksion absolutisht normal”, ka thënë Robert Montgomery, mjeku që në shtator e drejtoi ekipin e kirurgëve në NYU Langone Health në New York City. “Nuk e kishte këtë refuzim të menjëhershëm për të cilin jemi shqetësuar”, ka theksuar ai për Guardian.

Ky studim ishte “një hap i jashtëzakonshëm”, ka thënë Andrew Adams, mjek nga Universiteti i Minnesotës, i cili nuk ishte pjesë e studimit. “Kjo gjë do t’i sigurojë pacientët, studiuesit dhe rregullatorët që jemi në drejtimin e duhur”, tha ai për gazetën britanike.

Ëndrra për transplantim të organeve nga kafshët te njerëzit - ose ksenotransplantimi – buron qysh prej shekullit 17, kur janë penguar përpjekjet për ta përdorur gjakun e kafshëve për transfuzione. Në shekullin 20, kirurgët kanë bërë përpjekje për transplantimin e organeve nga babunët te njerëzit. Rasti specifik është i Foshnjes Fae që po vdiste. Ajo kishte jetuar 21 ditë me një zemër babuni.

Pa sukses të qëndrueshëm dhe me shumë zhurmë publike, shkencëtarët i kthyen sytë kah derrat, duke ua rregulluar gjenet për ta kapërcyer hendekun e specieve.

Derrat, sipas Guardian, kanë përparësi kundruall majmunëve dhe apeve. Ata prodhohen për ushqim, kështu që përdorimi i tyre për organet ngre më pak shqetësime etike.

“Derrat kanë pasardhës të mëdhenj, periudha të shkurtra shtatzënie dhe organe të krahasueshme me njerëzit. Valvulat e zemrës së derrit gjithashtu janë përdorur me sukses te njerëzit për dekada me radhë. Heparina më e hollë e gjakut rrjedh nga zorrët e derrit. Shartimet e lëkurës së derrit përdoren për djegie dhe kirurgët kinezë kanë përdorur korne të derrit për ta rikthyer shikimin”, ka shkruar gazeta.

Në rastin e NYU-së, studiuesit mbajtën trupin e një gruaje të vdekur në një ventilator, pasi që familja e saj ishte pajtuar për kryerjen e eksperimentit. Gruaja kishte dashur që t’i dhuronte organet e saj, por ato nuk ishin të përshtatshme për dhurim tradicional.

“Familja mendonte se kishte mundësi që ndonjë e mirë mund të vinte nga kjo dhuratë”, ka thënë Montgomery.

Mirëpo derrave, sipas shkencëtarëve, u mungon një gjen që prodhon alfa-gal, sheqer ky që e provokon sulmin e menjëhershëm nga sistemi imunitar i njeriut. Në dhjetor, Administrata Amerikane për Ushqim dhe Barna e kishte miratuar ndryshimin e gjeneve te derrat e “Revivicor”, si të sigurt për ushqim dhe ilaçe. Por FDA-ja ka bërë të ditur se zhvilluesit do të duhet të paraqesin më shumë dokumente para se organet e derrit të transplantohen në njerëzit e gjallë. Ekspertët thonë se testet mbi primatët jonjerëzorë dhe eksperimenti me trupin e njeriut hapin rrugën për transplantimet e para eksperimentale të veshkave të derrit ose zemrës te njerëzit e gjallë.

Rritja e derrave për të qenë donatorë të organeve është e gabuar për disa njerëz, porse mund të bëhet më e pranueshme po qe se shqetësimet për mirëqenien e kafshëve mund të adresohen, ka thënë Karen Maschke, studiuese kërkimore në “Hastings Center”, që do të ndihmojë në zhvillimin e rekomandimeve të etikës dhe politikave, testimet e para klinike nën një grant nga Institutet Kombëtare të Shëndetit.

Përktheu: Liridona Bytyçi