Lifestyle

Simptomat e COVID-it të gjatë, të rralla mes fëmijëve

Shkencëtarët nga Kolegji Mbretëror i Londrës kanë thënë se një grup i vogël i tyre mund të ballafaqohen me sëmundje më të gjatë, derisa kanë “siguruar” se ky numër është relativisht i ulët

Fëmijët që infektohen me koronavirus rrallëherë përjetojnë simptoma afatgjata, teksa shumica e tyre shërohen brenda më pak se një jave, ka treguar një studimi i ri. Shkencëtarët nga Kolegji Mbretëror i Londrës kanë thënë se një grup i vogël i tyre mund të ballafaqohen me sëmundje më të gjatë, derisa kanë “siguruar” se ky numër është relativisht i ulët, ka raportuar agjencia britanike e lajmeve BBC.

Dhimbjet e kokës dhe lodhja janë simptomat më të zakonshme të evidentuara mes fëmijëve.

Simptoma të lehta

Një ekspert për pediatri dhe shëndet të fëmijëve pranë Kolegjit Mbretëror ka thënë se të dhënat e pasqyrojnë atë që mjekët e kanë parë nëpër klinika. Krahasuar me të rriturit, fëmijët, sipas mjekëve, janë shumë më pak të rrezikuar nga koronavirusi. Shumë të infektuar nuk kanë shfaqur simptoma dhe edhe ata që i shfaqin kanë tendencë që të kenë një sëmundje të lehtë.

Ky studim, i botuar në revistën “Lancet Child and Adolescent Health”, synonte të kuptohej se si COVID-19 ndikoi te fëmijët dhe si krahasohet me sëmundjet e tjera të frymëmarrjes.

Për këtë studim, sipas BBC-së, janë përdorur të dhëna të siguruara nga prindërit apo kujdestarët në aplikacionin “Studimi Zoe i Covidit”. Studimi vëzhgoi 1,734 fëmijë, të moshave mes pesë deri në 17-vjeçare, të cilët u raportua se kishin zhvilluar simptoma dhe ishin testuar pozitivë për COVID-19 nga shtatori i 2020-s deri në shkurt të 2021-tës.

“Më pak se një në 20 (apo 4 për qind) e atyre që u sëmurën me COVID-19 patën simptoma për katër javë ose më shumë, teksa një në 50 (apo 2 për qind) kanë pasur simptoma për më shumë se tetë javë”, ka treguar studimi, sipas raportimit të BBC-së.

Studiuesit thonë se është shumë e vështirë të dihet se sa fëmijë janë infektuar gjatë kësaj periudhe kohore, pasi katër vendet e Mbretërisë së Bashkuar i regjistrojnë të dhënat ndryshe. Ata, megjithëkëtë, kanë vlerësuar se më shumë se 400,000 fëmijë dhe të rinj kanë rezultuan pozitivë. Mesatarisht, fëmijët më të mëdhenj ishin zakonisht të sëmurë për pak më gjatë sesa fëmijët e shkollave fillore, me ç’rast atyre të moshave 12 deri në 17-vjeçare u duhej një javë për t’u shëruar, ndërsa për fëmijët më të vegjël sëmundja zgjati pesë ditë.

Simptomat më të zakonshme të raportuara ishin kokëdhimbja dhe lodhja. Simptomat e tjera përfshinin dhimbje të fytit dhe humbje të shqisës së të nuhaturit. Nuk kishte raporte për simptoma neurologjike, të tilla si krizat.

“Dëgjojini familjet”

Ekipi i shkencëtarëve ka analizuar gjithashtu një numër të barabartë të fëmijëve që kishin simptoma, por që rezultuan negativë në testet për COVID-19. Vetëm disa fëmijë - 15 nga gjithsej 1,734 - kishin simptoma për të paktën 28 ​​ditë, më pak se një në 100.

Emma Duncan, profesoreshë e endokrinologjisë klinike në Kolegjin Mbretëror të Londrës, që ka punuar në hulumtim, ka thënë për BBC-në se mesazhi i dalë ishte: “A mund të kenë fëmijët simptoma të vazhdueshme pas COVID-19? Po, mund të kenë, por nuk është e zakonshme dhe shumica e këtyre fëmijëve përmirësohen me kalimin e kohës”.

“Fëmijët gjithashtu mund të kenë simptoma më gjatë edhe nga sëmundjet e tjera. Duhet të kujdesemi për të gjithë fëmijët që kanë ende simptoma, pavarësisht nëse kjo sëmundje është COVID-19 apo ndonjë tjetër”, ka theksuar ajo.

Michael Absoud, mjek në spitalin e fëmijëve Evelina, ka thënë se është me rëndësi që t’i dëgjoni familjet që thonë se fëmijët e tyre kanë simptoma.

“Nëse jeni të shqetësuar për fëmijën tuaj, gjëja e parë që duhet të bëni është që të shkoni te mjeku dhe t’ia përshkruani simptomat”, ka shpjeguar ai, duke folur për agjencinë britanike. “Ata mund t’ju japin informacione apo ju referojnë te një pediatër. Është e rëndësishme që të mbani mend se mund të jetë duke ndodhur diçka tjetër”. “Nëse mendojnë se ka të bëjë me COVID-19, ka klinika të NHS-së të përkushtuara për të ofruar këshilla se si t’i qasemi kësaj. Shpresojmë se do të financohen siç duhet për ta mbështetur këtë pjesë të vogël të fëmijëve”.

Mjekia Liz Whittaker, udhëheqëse e sëmundjeve infektive në Departamentit për Pediatri dhe Shëndet të Fëmijëve në Kolegjin Mbretëror, e cila nuk ishte e përfshirë në studim, ka thënë se studimi ofron siguri për shumicën e fëmijëve dhe të rinjve që e zhvillojnë infeksionin Sars-CoV-2 dhe e reflekton atë që mjekët pediatër po e shohin në praktikën klinike.

Përktheu: Liridona Bytyçi