Lifestyle

A munden vaksinat kundër COVID-19 të merren në formë tabletash?

Në një laborator të bardhë, të ajrosur në Medicon Village, një nga parqet më të mëdha shkencore të Suedisë jugore, kimistja Ingemo Andersson mban një inhalues ​​të hollë, plastik, sa gjysmën e madhësisë së një kutie shkrepëseje.

Ekipi i saj shpreson që ky produkt i vogël një ditë të mund të luajë rol të madh në luftën globale kundër koronavirusit, duke ua mundësuar njerëzve që t’i marrin në shtëpi versionet me pluhur të vaksinave të ardhshme.

“Është i lehtë dhe me të vërtetë i lirë për t’u prodhuar”, ka thënë Johan Waborg, shef ekzekutiv i firmës që prodhon inhalues për pacientët me astmë. “Thjesht hiqni një copë plastike dhe pastaj inhaluesi i vaksinës aktivizohet dhe e vendosni në gojë, merrni frymë thellë dhe thithni”, ka theksuar ai, duke folur për agjencinë britanike BBC.

Kompania “Iconovo” po bashkëpunon me një projekt të ri studimi të imunologjisë në Stokholm, ISR, që ka krijuar një vaksinë me pluhur kundër COVID-19. Janë përdorur proteinat e prodhuara të virusit (ndryshe nga “Pfizeri”, “Moderna” dhe “AstraZeneca”, të cilat e përdorin ARN-në ose AND-në që kodojnë për këto proteina), dhe mund t’i përballojë temperaturat deri në 40gradë Celsius. Këto kushte janë krejtësisht të kundërta me vaksinat që janë në dispozicion dhe të cilat janë miratuar për përdorim nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, që duhet të ruhen në temperatura të ulëta dhe janë në formën e lëngut.

Vaksinat e thara

Image

BBC-ja ka raportuar se kompania aktualisht është duke i testuar vaksinat e saja kundër COVID-19 në variantet Beta (nga Afrika e Jugut) dhe Alfa (nga Mbretëria e Bashkuar) të koronavirusit. Beson se mund të jenë të dobishme veçanërisht në përshpejtimin e shpërndarjes së vaksinave në Afrikë, ku aktualisht nuk ka prodhues të vaksinave dhe klima e ngrohtë dhe furnizimet e kufizuara të energjisë elektrike kanë sjellë sfida të mëdha kur bëhet fjalë për ruajtjen dhe shpërndarjen e vaksinave kundër COVID-19, para se të skadojnë. Ka ende rrugë të gjatë para se studimet të shpërfaqin potencialin e plotë të vaksinës me ajër të thatë të ISR-së, po ashtu nëse mund të ofrojë të njëjtin nivel mbrojtjeje me listën aktuale të vaksinave të aprovuar nga OBSH-ja. Deri më tani, është testuar vetëm te minjtë, megjithëse ISR dhe “Iconovo” kanë mbledhur fonde të mjaftueshme për të filluar studimet te njerëzit brenda dy muajve të ardhshëm, ka raportuar BBC-ja.

Por ka optimizëm përbrenda komunitetit mjekësor dhe nëse vaksinat e tilla dalin të jenë të suksesshme, do të mund të bënin revolucion në mënyrën se si reagon bota ndaj pandemisë së koronavirusit, por edhe do ta lehtësonin shpërndarjen dhe ruajtjen e vaksinave për sëmundje të tjera.

“Do të hapte vërtet mundësi për zonat e vështira për t'u arritur dhe ndoshta do të na shpëtonte nga angazhimi i njerëzve me frigoriferë në biçikleta dhe deve”, ka thënë për BBC-në Stefan Swartling Peterson, shefi i shëndetit global pranë UNICEF-it ​​nga viti 2016 deri në 2020, dhe tani profesor i transformimit global për shëndet në Karolinska. Ai e krahason ndikimin potencial me atë të ushqimeve të thara, të cilat kanë pasur sukses të shkonin në të gjitha llojet e vendeve, ku nuk mund të arrijë as energjia elektrike, qoftë për t'u përdorur nga personeli mjekësor ose thjesht nga njerëzit që shkojnë nëpër kampe.

Përderisa kompanitë në të gjithë botën po i hetojnë vaksinat pluhur, Swartling Peterson tregon për agjencinë britanike rreth një tjetër projekti me “teknologji premtuese” që është vetëm 10 minuta në këmbë larg nga “Iconovo”.

“Ziccum” po teston një teknologji të krijuar për t’i tharë vaksinat e lëngshme ekzistuese ose të ardhshme, në një mënyrë që nuk e kufizon efektivitetin e tyre. Pluhuri i vaksinës do të përzihet me një solucion uji steril pak para imunizimit dhe më pas do të injektohet duke përdorur shishka dhe gjilpëra.

Alternativa “të gjelbra”

Janssen apo “Johnson&Johnson” që ka prodhuar vaksinën kundër COVID-19 që administrohet vetëm me një dozë, është tashmë duke punuar në një pilotprojekt për t’i analizuar aftësitë e “Ziccumit” për vaksinat e thara. Gjiganti farmaceutik nuk ka bërë të ditur nëse ishte i lidhur me koronavirusin apo sëmundjet e tjera infektive, por një zyrtar ka thënë se studimi ishte pjesë e një përqendrimi të thellë në “eksplorimin e një teknologjie të re që ka potencial për ta lehtësuar shpërndarjen, administrimin dhe pëlqimin” e vaksinave të ardhshme. Teknologjia me pluhur, sipas BBC-së, mund t’u ndihmojë njerëzve që frikësohen nga gjilpërat dhe ofron një alternativë “më të gjelbër” kundruall vaksinave të lëngshme, duke kursyer energjinë elektrike që nevojitet për frigoriferët që zakonisht përdoren për t’i ruajtur ato. Po ashtu, mund të ndihmojë që tërë bota të ketë qasje në vaksina.