“E kemi identifikuar një strukturë të panjohur më herët të një deformimi tektonik në Venerë, që ka ardhur shkaku i një lëvizjeje të brendshme sikurse në Tokë”, ka thënë autori kryesor Paul Byrne, profesor i asociuar i shkencës planetare në Universitetin Shtetëror të Karolinës Veriore
Shkencëtarët kanë gjetur prova se disa pjesë të sipërfaqes së Venerës lëvizin sikurse ato të kontinentit të Tokës. Dhe përderisa ky aktivitet nuk ndodh nga pllakat tektonike, sikurse në Tokë, mund të konsiderohet si një “kushëri” i atij procesi.
Agjencia britanike e lajmeve BBC ka raportuar se zbulimet i janë përshtatur pamjes së një planeti pothuajse të gjallë, në kundërshtim të plotë me mënyrën se si është trajtuar zakonisht Venera.
Kësisoj, Evropa do ta dërgojë anijen kozmike “EnVision” për të bërë harta radari dhe për të bërë matje spektroskopike të sipërfaqes dhe atmosferës së planetit. Ndërkaq NASA do t’i dërgojë dy anije kozmike - “Veritas” dhe “DaVinci+” - nga fundi i kësaj dekade.
“E kemi identifikuar një strukturë të panjohur më herët të një deformimi tektonik në Venerë, që ka ardhur shkaku i një lëvizjeje të brendshme sikurse në Tokë”, ka thënë autori kryesor Paul Byrne, profesor i asociuar i shkencës planetare në Universitetin Shtetëror të Karolinës Veriore. “Edhe pse dallojnë prej lëvizjeve tektonike që ndodhin në Tokë, ato dëshmojnë për lëvizjet e brendshme që po ndodhin në sipërfaqen e planetit”, ka theksuar ai për BBC-në.
Byrne, bashkë me Richard Ghailin nga Royal Holloway i Universitetit të Londrës, profesorin Sean Solomon nga Universiteti i Columbias në New York dhe kolegët e tjerë kanë vërejtur se blloqet e kores shkëmbore në fushat e Venerës ishin rrotulluar dhe kishin lëvizur afër njëra-tjetrës.
Ata e krahasojnë aktivitetin e fundit me mënyrën se si fragmentet e akullit ndeshen në det në rajonet polare të Tokës.
Richard Ghail, hulumtues kryesor në misionin “EnVision” të Agjencisë Hapësinore Evropiane, ka thënë për BBC News se “ky studim tregon se kemi shumë për të mësuar për Venerën dhe se ekziston një spektër shumë më i gjerë i lëvizshmërisë së sipërfaqes e jo vetëm pllakat tektonike”.
Studiuesit i kanë përdorur të dhënat e mbledhura nga anija e NASA-s “Magellan”, që ishte nisur më 1989 dhe kishte qenë aktive deri më 1994, për të bërë harta të strukturave të sipërfaqeve, që i kanë quajtur “campi” nga latinishtja, që në përkthim do të thotë “fushë”.
Zakonisht litosfera e Venerës ishte menduar se është një pjesë e vazhdueshme, për dallim prej asaj të Tokës, e cila është thyer në një mozaik të pllakave të lëvizshme tektonike.
BBC-ja raporton se deri më tani mendohej se edhe në Hënë, Mars dhe Merkur ka litosfera statike. Por zbulimet e publikuara në gazetën “PNAS” sugjerojnë se litosfera e Venerës në fakt ka njëfarë shkalle të lëvizshmërisë – ndonëse nuk i përafrohet asaj të Tokës.
Rezultatet e modeleve kompjuterike kanë treguar se shkëmbinjtë e shkrirë – magma – të turbulluar nën kore mund të prodhojnë tendosje, thyerje dhe shtrembërim që shihet në fotografitë e sipërfaqes, të siguruara nga “Magellan”, ka shkruar BBC.
Kështu që aktiviteti tektonik i Venerës mund të ngjasojë me atë të Tokës gjatë periudhës arkeane, mes 4 miliardë dhe 2.5 miliardë vjet më parë, kur të nxehtit përbrenda planetit ishte më i lartë dhe litosfera ishte më e hollë.
