Lifestyle

Vapa mund përnjëmend të ngatërrojë mendjen

“Disa prej simptomave janë relativisht të buta – njerëzit janë më të prirë që të përdorin borinë në vetura kur ngecin në komunikacion, policia rëndom e vëren një ngritje në sjelljen e dhunshme teksa bëhemi më pak të prirë që t’i ndihmojmë të panjohurit në telashe”, raporton Deutsche Welle. Por, simptomat e tjera të ndikimit të motit në sjelljet e njerëzve janë shumë më shqetësuese

Ishte korriku i 1988-s. Kudo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, horizonti mbërthehej nga vapa e verës më të nxehtë në histori.

Banorët e qyteteve vërshonin plazhet, rryma shpenzohej më shumë se kurrë, ndërsa autostradat ishin të tejngarkuara me automjete të prishura nga stërngrohja. Akulloret shkriheshin para të konsumoheshin. Por, po ndodhte edhe diçka tjetër në mes.

Sipas raportimit të gjermanes Deutsche Welle, 1988-a nuk ishte vetëm viti i vapës rekorde, por edhe i dhunës rekorde. Asokohe kishte ndodhur numër i paevidentueshëm i vrasjeve, përdhunimeve, plaçkitjeve të armatosura e sulmeve – rreth 1.56 milionë syresh.

Por, Deutsche Welle pyet nëse ekzistonte lidhja midis kushteve klimatike dhe prirjes së përgjithshme për dhunë?

Njerëzit për shekuj me radhë kanë dyshuar se moti i nxehtë mund të ndryshojë sjellje.

“Kjo ide, madje, është ngulitur edhe në fjalorin tonë – rëndom flasim për mjegullimin e mendjes, për ngritjen e temperaturës e disa edhe për tymin që del nga veshët”, ka shkruar Deutsche Welle, teksa ka shtuar se shkrimtari William Shakespeare e ka përshkruar këtë gjendje si “gjakun e nxehtë të të çmendurit” në vapën e pakëndshme të verës në Veronë, qysh më 1597.

Shtimi i dhunës verore

Studimet më të hershme mbi këtë fenomen, shkruan DW-ja, janë shfaqur nga fundi i shekullit 19, duke përkuar kësisoj me të parat statistika të besueshme për krimet. Sipas një analize, gjermanja ka shkruar se veprat penale rëndom janë shtuar në muajt e verës, derisa krimet e ndërlidhura me pronën më të shpeshta bëheshin gjatë dimrit.

Nisur që atëherë, të dhënat janë mbledhur vazhdimit. Akëcilin vit, menjëherë pasi që merkuri nisë të ngrihet në termometër, të gjithë kalojmë në njëfarë transformimi kolektiv, shkruan portali gjerman.

“Disa prej simptomave janë relativisht të buta – njerëzit janë më të prirë që të përdorin borinë në vetura kur ngecin në komunikacion, policia rëndom e vëren një ngritje në sjelljen e dhunshme teksa bëhemi më pak të prirë që t’i ndihmojmë të panjohurit në telashe”, raporton Deutsche Welle. Por, simptomat e tjera janë shumë më shqetësuese.

Vala goditëse e vapës më 2018-n

Vala globale e temperaturave të larta më 2018 ka gjeneruar thatësi të gjithmbarshme dhe numër jashtëzakonisht të lartë të zjarreve në Arktik. Ka dëbuar re të dendura pluhuri në plazhet finlandeze dhe madje ka zvogëluar një mal në Zvicër - por ka qenë i ndërlidhur edhe me disa ngjarje shqetësuese që kanë të bëjnë me njerëzit.

Në Mbretërinë e Bashkuar është evidentuar numër rekord i thirrjeve në shërbimet e emergjencës, ndërsa një polic ka raportuar se publiku po reagon “vërtet çuditshëm” në këtë lloj moti, ka shkruar DW-ja.

Në disa sfera, policia ka raportuar se thirrjet telefonike janë shtuar edhe për, madje, 40 për qind.

Natyrisht, krejt kjo në një masë të madhe ndërlidhet me dëshmitë anekdotale – e ekzistojnë një mori shpjegimesh alternative për të gjitha incidentet specifike.

Por, korrelacionin më të gjerë duket se e mbështesin hulumtimet e shumta shkencore nga të gjitha pjesët e botës.

Vrasje më shumë gjatë motit të nxehtë

Në Mbretërinë e Bashkuar, midis prillit të 2010-s dhe në vitin 2018, ka pasur 14 për qind më shumë krime të dhunshme gjatë dominimit të temperaturave prej më se 20 gradë Celsius se sa në 10 gradë, ka shkruar DW-ja. Në Meksikë ka më shumë krim të organizuar gjatë motit të nxehtë – ndërsa disa akademikë dyshojnë se kjo ndodh për shkak se kjo e shkakton “oreksin për dhunë”. E, në Afrikën e Jugut, shkencëtarët kanë zbuluar se, për secilën shkallë të ngritur në temperaturë, shënohet rritje prej 1.5 për qind në numrin e vrasjeve.

Në Greqi, një prej studimeve ka treguar se më shumë se 30 për qind e 137 vrasjeve të raportuara në një rajon janë kryer gjatë ditëve me temperaturën mesatare më të lartë se 25 gradë Celsius, ka raportuar gjermanja DW.

Të dhëna të ngjashme për sa u përket krimeve të dhunshme dhe vapës janë spikatur edhe në Afrikën nënsahariane, në Tajvan, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Finlandë dhe Spanjë.

E ardhme më e nxehtë

Pa marrë parasysh se çfarë e nxit ndërlidhjen midis motit dhe sjelljes së njerëzve, ekzistojnë disa implikime të pakëndshme për të ardhmen.

Shkencëtarët kanë parashikuar se, teksa ndryshimet klimatike po theksohen përherë e më shumë, rritja prej vetëm dy gradësh celsius në temperaturat mesatare globale mund të ndikojë në shtimin e shkallës së krimeve të dhunshme për më shumë se tre për qind në rajonet me klimë më të butë në Evropën Perëndimore, ka shkruar DW.

Aktualisht, shumë ekspertë besojnë se bota ndodhet në shtegun e rritjes së temperaturave prej më shumë se tri gradësh, edhe në rast se përmbushen të gjitha obligimet për shmangien e ndryshimeve të vazhdueshme klimatike.

Edhe pse çështja se pse klima ndikon te sjellja e njerëzve vazhdon që të mbetet mister, ata rekomandojnë se do të ishte më së miri që bota të nisë së përgatituri për atë që ende pritet që të vijë.