Lifestyle

Çfarë efekti kanë vaksinat ndaj variantit Delta?

Është zbuluar se nivelet e antitrupave te personat që kanë marrë që të dy dozat e vaksinës Pfizer-BioNTech ishin gjashtë herë më të ulëta në praninë e variantit Delta, krahasuar me atë të formës së parë të virusit që e shkakton sëmundjen COVID-19, e në të cilin dhe është bazuar vaksina

Varianti Delta i koronavirusit përbën burim shqetësimi serioz, pasi që testet laboratorike kanë treguar se është më ngjitës dhe më rezistent ndaj vaksinave, krahasuar me format e tjera të COVID-19.

Megjithëkëtë, ka prova që tregojnë se vaksinat në dispozicion kanë efikasitet të konsiderueshëm kundër tij, pas dy administrimit të që të dyja dozave të nevojshme.

Çfarë duhet ditur?

Një studim britanik i botuar në revistën shkencore “Lancet” gjatë fillimit të qershorit ka vlerësuar nivelet e antitrupave neutralizues të prodhuara te personat e vaksinuar që u janë ekspozuar varianteve Delta, Alfa (i identifikuar së pari në Britani të Madhe) dhe Beta (i identifikuar në Afrikën e Jugut).

Studimi ka zbuluar se nivelet e antitrupave tek njerëzit me dy doza të vaksinës së Pfizer-BioNTech ishin gjashtë herë më të ulëta në praninë e variantit Delta sesa në atë të formës origjinale të virusit që e shkakton sëmundjen COVID-19, e në të cilin bazohej vaksina. Variantet Alfa dhe Beta gjithashtu nxitën reagime më të ulëta, me 2.6 herë më pak antitrupa për Alfa dhe 4.9 herë më pak për Beta.

Një studim francez i kryer nga Instituti Pasteur ka nxjerrë përfundimin se antitrupat neutralizues të krijuar nga vaksinimi me Pfizer-BioNTech janë tre deri në gjashtë herë më pak të efektshëm ndaj variantit Delta, sesa ndaj variantit Alfa.

Është zbuluar gjithashtu se nivelet e antitrupave te personat që kanë marrë dy dozat e vaksinës Pfizer-BioNTech ishin gjashtë herë më të ulëta në praninë e variantit Delta, sesa në praninë e virusit origjinal, në të cilin edhe është bazuar vaksina.

Variantet Alfa dhe Beta kanë shkaktuar gjithashtu reagim më të ulët, me 2.6 herë më pak antitrupa për Alfa dhe 4.9 herë më pak për Beta.

Pra, a kanë ende efekt vaksinat?

Megjithëse ato përfaqësojnë një element thelbësor, nivelet e antitrupave të matura në një laborator nuk janë të mjaftueshme për të përcaktuar efikasitetin e një vaksine. Në veçanti, ato nuk marrin parasysh një reagim të dytë imunitar në formën e qelizave T - të cilat sulmojnë qelizat tashmë të infektuara dhe jo vetë virusin.

Si rezultat i kësaj, analizat në botën reale janë thelbësore për matjen e efekasitetit të vaksinës dhe rezultatet e para janë të mira. Sipas të dhënave të botuara të hënën nga Shëndeti Publik në Angli, vaksinimi me Pfizer-BioNTech dhe me AstraZeneca është po aq efikas në parandalimin e shtrimit në spital në rastin e variantit Delta, sa edhe në rastin e variantit Alfa.

Dy doza të vaksinës Pfizer-BioNTech parandalojnë 96 për qind të hospitalizimeve shkaku i variantit Delta, ndërsa vaksina AstraZeneca 92 për qind, ka treguar një studim në të cilin janë përfshirë 14.000 njerëz.

Vaksina Pfizer-BioNTech është 88 për qind efikase ndaj sëmundjes simptomatike të COVID-19 që shkaktohet nga varianti Delta dy javë pas dozës së dytë, ndërsa vaksina është 93 për qind efektive për rastet e shkaktuara nga varianti Alfa. AstraZeneca tregon efikasitet prej 60 për qind ndaj rasteve të shkaktuara nga varianti Delta dhe 66 për qind me Alfa. Kurse ekipi i vaksinës ruse Sputnik V ka thënë se kura e tyre është më efektive ndaj variantit Delta, sesa vaksinat e tjera, porse nuk ka publikuar ndonjë rezultat studimi.

A mjafton vetëm një dozë?

Nga të gjitha vaksinat që janë në dispozicion, vetëm ajo e Johnson & Johnson ofron vetëm një dozë për ta arritur imunitetin. Deri më tani, nuk ka të dhëna të mjaftueshme për të përcaktuar se si reagon ajo ndaj variantit Delta.

Sa u përket vaksinave të tjera, testet laboratorike dhe ato në botën real kanë nxjerrë përfundimin se vetëm një dozë e vaksinës jep mbrojtje të kufizuar ndaj variantit Delta.

“Pas një doze të vetme të Pfizer-BioNTech, 79 për qind e njerëzve kishin reagim të të matshëm të antitrupave ndaj llojit origjinal, por kjo ra në 32 për qind për B.1.617.2 [Delta]”, ka konstatuar studimi laboratorik i kryer në qershor.

Instituti Pasteur ka zbuluar se një dozë e vetme e AstraZenecas do të kishte “pak ose aspak efikasitet” ndaj variantit Delta.

Të dhënat nga Qeveria britanike konfirmojnë prirjen në skenarët e botës reale: të dyja vaksinat ishin 33 për qind efektive ndaj rasteve simptomatike të shkaktuara nga Delta, tri javë pas dozës së parë, krahasuar me rreth 50 për qind efektivitet ndaj variantit Alfa. Në Mbretërinë e Bashkuar - ku varianti Delta tani është përgjegjës për 96 për qind të rasteve të reja të infektimit - këto zbulime shtynë Qeverinë të hënën që ta ulë periudhën e pritjes mes dozave nga 12 javë në tetë, për personat e moshës mbi 40-vjeçare.

Në Francë, pritja është zvogëluar në tre javë nga pesë për një dozë të dytë të vaksinave Pfizer-BioNTech dhe Moderna.

Megjithëkëtë, vaksina Pfizer-BioNTech ofron mbrojtje shumë të lartë (94 për qind) ndaj hospitalizimit për shkak të variantit Delta pas një doze.

Cila është strategjia më e mirë ndaj variantit Delta?

Shkencëtarët pajtohen se mbrojtja më e mirë ndaj variantit Delta është që të merren që të dy dozat.

Shkencëtari francez, Jean-François Delfraissy, ka thënë se krijimi i një “blloku njerëzish të vaksinuar” do të ndihmojë që varianti Delta të mos përhapet në të gjithë popullsinë.

Një studim amerikan nga 10 qershori ka spikatur rëndësinë e vaksinimit për të mos e zgjeruar listën e varianteve.

“Rritja e përqindjes së popullsisë së imunizuar me vaksinat aktuale të sigurta dhe efektive dhe të autorizuara mbetet një strategji kryesore për ta minimizuar shfaqjen e varianteve të reja dhe për t'i dhënë fund pandemisë COVID-19”, thuhet në studim.

Antoine Flahault, që udhëheq Institutin e Shëndetit Global në Universitetin e Gjenevës, këmbëngul se është ende thelbësore që të zbatohet distanca fizike, të shpërndahen informacione për infektim dhe të vëzhgohen masat, kur është e nevojshme për ta ulur qarkullimin e virusit”.

Sa më shumë që virusi qarkullon, ka thënë ai, aq më shumë ka mundësi që të pësojë mutacione dhe të gjenerojë variante të reja.

Përktheu: Liridona Bytyçi