Lifestyle

Ndotja e ajrit e rrit konsiderueshëm rrezikun nga infertiliteti

Teksa rreth 30 për qind e rasteve të infertilitetit ndodhin pa ndonjë arsye, ndotja mund të jetë një faktor i rrezikut “që nuk mund të anashkalohet”, kanë paralajmëruar shkencëtarët

Ekspozimi ndaj ajrit të ndotur e rrit në mënyrë të konsiderueshme rrezikun nga infertiliteti, ka treguar të mërkurën një studim i ri që ka vlerësuar rrezikun me të cilin përballet popullata e gjithmbarshme.

Studimi, i cili është realizuar me 18.000 çifte në Kinë, ka zbuluar se shumica e atyre që jetonin në vendet me shkallë më të larta të ndotjes janë ballafaquar me rrezik 20 për qind më të lartë nga infertiliteti, që definohet si pamundësia e ngeljes shtatzënë pas një viti tentimesh.

Studimi, ndërkaq, nuk u ka ofruar mundësi shkencëtarëve që të zbulojnë se si ka dëmtuar ndotja fertilitetin, ndonëse grimcat ndotëse dihet se shkaktojnë inflamacione në trup, të cilat edhe mund t’i dëmtojnë vezoret dhe prodhimin e spermës, kanë bërë të ditur shkencëtarët.

Një tjetër studim, në të cilin ishte përfshirë 600 gra në një klinikë të infertilitetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka gjetur se ekspozimi i shtuar ndaj ajrit të ndotur ishte i lidhur me uljen e numrit të vezëve të pjekura në vezore.

Infertiliteti ka prekur disa miliona çifte kudo përreth botës, mirëpo kërkime relativisht të pakta janë kryer deri më tani rreth ndikimit direkt të ndotjes së ajrit në këtë dukuri. Megjithatë, ajri i ndotur veçse është konstatuar se shkakton rrezik edhe në aspektet e tjera të riprodhimit, duke përfshirë në lindjet e parakohshme dhe në uljen e peshës së lindjes të foshnjave. Nivelet normale të dyoksidit të karbonit janë të dëmshme pothuajse sa dhe vetë konsumimi i duhanit, duke ndikuar në rritjen e rrezikut të abortit spontan. Ndërkaq, grimcat e ndotjes janë gjetur në anën fetale të placentave.

Qin Li nga Qendra për Mjekësinë Riprodhuese në spitalin e tretë më të madh të Pekinit në Kinë, i cili ka udhëhequr kërkimin mbi infertilitetin, ka thënë se prindërit e ardhshëm duhet të jenë të shqetësuar për shkallën e ndotjes së ajrit.

“Studime të shumta kanë treguar se ndotja e ajrit është e lidhur me shumë ngjarje të pafavorshme të shtatzënisë”, ka thënë ai për të përditshmen britanike “The Guardian”.

“Përreth 30 për qind e çifteve infertile preken nga kjo dukuri në mënyrë të pashpjegueshme”, kanë shkruar Li dhe kolegët e tij, duke cekur se “mosha, pesha dhe konsumimi i duhanit veçse janë faktorë të njohur”.

“Studimi ynë tregon se ndotja prej grimcave të imta mund të jetë një faktor i paanashkalueshëm i rritjes së rrezikut nga infertiliteti”, kanë bërë të ditur studiuesit.

Studimet e mëparshme kanë prodhuar rezultate të përziera, por ishin bazuar në grupet e njerëzve që i përjashtonin çiftet infertile apo ishin realizuar në klinika të infertilitetit, ka thënë Li. “Rastet e studimit tonë ishin rekrutuar nga popullata e përgjithshme, duke bërë që gjetjet të jenë më të përgjithësuara”, ka shtuar ai.

“Madhësia e efekteve të vrojtuara duket se është shumë e lartë, gjë kjo që mund të jetë shqetësuese po qe se del edhe në studimet e ardhshme, sidomos në ambientet me shkallë të lartë të ndotjes”, ka thënë Tom Clemens, studiues nga Universiteti i Edinbrughut në Mbretërinë e Bashkuar. Nivelet e ndotjes në Kinë janë ndër më të lartat në botë, ka thënë ai, por efektet e dëmshme në riprodhim janë raportuar edhe në vendet me nivele shumë më të ulëta të ndotjes.

“Kështu që, është e qartë se cilësia e ajrit ndikon në sistemin riprodhues në përgjithësi”, ka thënë ai.

Profesoresha Mireille Toledano, nga Kolegji Mbretëror i Londrës, ka thënë se studimet e reja në këtë fushë janë të mirëseardhura, meqë deri më tani nuk ka pasur shumë studime të këtilla. Ajo ka shtuar se nivelet e ulëta të ndotjes së ajrit mund ta ndikojnë në infertilitet, por se duhet bërë edhe studime më të hollësishme.

Studimi, i publikuar në revistën shkencor “Environment International”, ishte bazuar në të dhënat e gjeneruara prej intervistave dhe pyetësorëve me 18.571 çifte që ishin pjesë e një ankete të madhe të fertilitetit në Kinë me gratë e martuara. Në Kinë gratë duhet të regjistrohen tek autoritetet para se të tentojnë të mbesin shtatzënë, duke ua mundësuar studiuesve të kërkojnë informata nga të gjitha gratë që janë duke tentuar të mbesin shtatzënë.

Studiuesit kanë gjetur se gratë që ishin të ekspozuara ndaj grimcave ndotëse në nivel prej 10 mikrogramësh për metër kub, ishin për 20 për qind më të rrezikuara nga infertiliteti.

Rezultatet gjithashtu kanë treguar se numri i grave që nuk po mbeteshin shtatzënë pas 12 muajsh tentime është rritur nga 15 për qind në 26 për qind. Këto të dhëna janë rezultat i krahasimit tremujor të ekspozimit ndaj niveleve të ulëta të ndotjes dhe atij tremujori ndaj niveleve më të larta të ndotjes. Studiuesit kanë marrë në konsideratë edhe faktorët e tjerë ndikues, si: mosha, pesha, të hyrat financiare, konsumimi i duhanit, alkooli dhe niveli i stërvitjeve fizike.

Përderisa janë individët ata që i vuajnë dëmet në shëndet nga ndotja e ajrit, janë qeveritë ato që duhet të veprojë, ka thënë Clemens. “Theksi duhet të bjerë te politikëbërësit, e jo tek individët”.

“Sigurisht që ekzistojnë disa hapa që individët mund t’i ndërmarrin për ta zvogëluar ekspozimin, si vendosjen e sistemeve të filtrimit të ajrit në lokacione me ndotje të lartë, si dhe shmangien e ekspozimit në trafik të mbingarkuar, por këto gjëra vështirë se do të ndikojnë në masivisht në ekspozimin ndaj ajrit të ndotur”, ka thënë ai. “Këto masa nuk janë reale për shumë njerëz, për shkak të kufizimeve socioekonomike, që përfshijnë format e punës si dhe mundësitë për transport”. \ Guardian