Lifestyle

Harresa për t’i paguar faturat, shenjë e hershme e demencës

Studiuesit kanë zbuluar se pacientët me sëmundjen e Alzheimerit dhe demencës kishin më shumë predispozita që të harrojnë t’i kryejnë pagesat, madje deri në gjashtë vjet para se të diagnostikohen, ka bërë të ditur studimi. Ndërkaq, këto veprime financiare i çuan ata që të paguajnë më shumë kredi gjatë dy dhe gjysmë viti para diagnostikimit, krahasuar me pacientët pa demencë

Problemet, si harresa për ta paguar kredinë apo faturat e ndryshme, mund të jetë tregues i hershëm i demencës, shumë vite para diagnostikimit zyrtar, ka treguar të premten një studim i ri.

Studimi, i publikuar në revistën shëndetësore “JAMA”, ka vëzhguar pacientët e “Medicare”, të cilët jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe ka analizuar të dhënat e tyre rreth kredive dhe pagesave nëpër periudha të ndryshme kohore.

Studiuesit kanë zbuluar se pacientët me sëmundjen e Alzheimerit dhe demencës kishin më shumë predispozita që të harrojnë t’i kryejnë pagesat, madje deri në gjashtë vjet para se të diagnostikohen, ka bërë të ditur studimi. Ndërkaq, këto veprime financiare i çuan ata që të paguajnë më shumë kredi gjatë dy dhe gjysmë viti para diagnostikimit, krahasuar me pacientët pa demencë, transmeton KOHA. 

“Mendoj se ishim pak të befasuar që ky fakt doli të ishte kaq i zakonshëm saqë vërtet të mund ta përfshinin tek të dhënat”, ka thënë autorja e studimit, Lauren Hersch Nicholas. “Mjekët thonë joformalisht se duhet ta shikoni demencën nën llupën e llogarive, por nuk mendoj se kemi vërejtur më herët se sa shumë vjet më përpara mund të paraqiten këto efekte”.

Nicholas është profesoreshë e asocuar në universitetin e “Johns Hopkinsit”. Studiuesit nga ky universitet dhe Bordi Federal Rezervë i Guvernatorëve e kanë udhëhequr studimin.

Demenca dhe Alzheimeri prekin rreth 5.8 milionë amerikanë të moshave mbi 65-vjeçare, ka bërë të ditur Asociacioni për Alzheimerin. Numri i amerikanëve me këtë sëmundje parashihet se do ta arrijë shifrën prej 13.8 milionëve deri në vitin 2050, ka njoftuar ky asociacion.

Studiuesit i kanë shikuar të dhënat e kredive të konsumatorëve nga më shumë se 81.000 marrës për një periudhë prej gati 20 vjetëve, nga viti 1999 deri më 2018, ka treguar studimi.

Grupi i gjerë i të dhënave ka shpalosur se pacientët që përfundimisht ishin diagnostikuar me demencë kishin pasur më herët shenja të simptomave të këtilla financiare.

“Me zhgënjim them se është e zakonshme”, ka thënë Nicholas. “Në pikën e rezultateve që kemi, jemi duke zbuluar se demenca po llogaritet mes 5 deri 20 për qind të pagesave të humbura në mesin e njerëzve që përfundimisht kanë pasur demencë. Shumë faktorë të tjerë gjithashtu shkaktojnë harresën për t’i kryer pagesat, por mendoj se demenca del se është një nga faktorët më të rëndësishëm, gjithashtu edhe në këtë grupmoshë”.

Nicholas ka thënë se i ka hyrë kësaj fushe studimesh, pasi ta ketë parë gjyshen e saj teksa po përballej me demencën. Kur nëna e saj e zbuloi një njoftim të IRS-së dërguar tek gjyshja e Nicholasit, ajo ka thënë se do të kujdesej për pagesat e gjyshes, ka thënë Nicholas.

Shpresa që buron prej këtij studimi është se pacientët apo të dashurit e tyre mund të fillojnë të vërejnë se diçka nuk po shkon si duhet para se të bëhet shumë vonë, ka shtuar ajo. “Dhe kjo mund të duket sikur dikush është duke e humbur shtëpinë e tij apo po ia jep dikujt paratë e pensionit”.

“Ky është efekt potencial anësor mjaft i frikshëm i demencës, që më herët nuk kemi mundur ta përcaktonim”, ka thënë Nicholas. “Duke iu qasur nga një perspektivë ekonomike, e kam ditur se kishim të dhënat dhe metodat që do të na bënin të mundur të testojmë në rast se ndonjë nga këto anekdota është vërtetë e pranishme në grupet e mëdha të të dhënave. Lajmet e këqija na tregojnë se janë të pranishme”.

Pacientët me nivel të ulët arsimimi, që më vonë kanë vuajtur nga demenca, kanë filluar të harrojnë t’i kryejnë pagesat qysh shtatë vjet para diagnostikimit, thuhet në studim. Pacientët më të arsimuar nuk kanë treguar simptoma të këtilla financiare deri në dy vjet e gjysmë para diagnostikimit.

Përderisa performanca financiare zakonisht është e lidhur me nivelin e edukimit të personit, arsyeja për pacientët më pak të arsimuar e që sëmuren më herët është e paqartë.

“Në atë rast nuk e dimë nëse është për shkak se nuk marrin kujdes shëndetësor aq shpejt dhe kjo është arsyeja pse periudha është më e gjatë, apo se thjesht simptomat shfaqen më herët tek ata”, ka bërë të ditur Nicholas.

Disa mund të argumentojnë se sëmundjet e tjera mund të kontribuojnë tek mungesa e vendimeve financiare të personit, por studimi ka zbuluar të kundërtën. Ai i ka krahasuar kushtet sociale karshi asaj në qoftë se kanë pasur demencë.

“Faktikisht i shohim modelet shumë të veçanta të demencës që sugjerojnë se ka më shumë gjasa që këtë ta shkaktojë harresa kognitive e jo barra tipike e një sëmundjeje më të madhe”, ka thënë Nicholas.

Lis Nielsen, drejtoreshë e Divizionit për Studime të Sjelljeve dhe Shoqërore në Institutin Kombëtar për të Moshuarit, e ka vlerësuar studimin në mënyrë të pavarur. Ai ishte financuar kryesisht nga ky institut, transmeton KOHA. 

Nielsen ka thënë se është e vështirë të dihet pse grupi me arsimim më të ulët ka shfaqur simptoma më të hershme financiare.

“Ekziston mundësia se diagnostikimi me demencë bëhet më vonë për grupet më pak të avancuara, për shkak të mungesës së qasjes në kujdes të mirë shëndetësor”, ka thënë Nielsen.

“E dimë se për disa grupe minoritare diagnostikimi zakonisht është më i vonshëm sesa tek grupet e tjera më të avancuara socio-ekonomike, apo mes qytetarëve të bardhë”.

Ajo ka shtuar se ideja që simptomat financiare janë tregues i hershëm i demencës nuk është e re.

“Të metat e tilla, si marrja e vendimeve, jodomosdoshmërisht janë pjesë normale e plakjes”, ka thënë Neilsen. “Ka qenë e ditur për një kohë të gjatë se kapaciteti financiar apo vështirësitë për t’i marrë vendimet financiare, janë tregues të hershëm dhe paralajmërues të diagnostikimit të mëvonshëm me demencë”.

Ky studim mund t’u ndihmojë njerëzve ta vërejnë më herët nëse janë duke shfaqur shenja të demencës, ka thënë ajo.

“Përderisa e kemi një mënyrë se si ta vërejmë më herët, kjo ju ndihmon shumë njerëzve që nuk kanë qasje për shërim të demencës, ashtu që të mund ta mbajnë rregullin e financave dhe ndoshta edhe të kenë ndonjë burim të përkrahjes apo ndërhyrjes para se të bëjnë gabime katastrofike”, ka thënë Nielsen.