Lifestyle

Testime shtesë për vaksinën anti-COVID të “AstraZeneca”-s

Foto: Reuters

“AstraZeneca” mund të ndërmarrë testime globale shtesë për ta saktësuar shkallën e efikasitetit të vaksinës së saj kundër COVID-19.

Kjo pas ngritjes së shqetësimeve të shumta lidhur me efikasitetin e saj gjatë testimeve fillestare. Shefi ekzekutiv i kompanisë britanike, Pascual Soriot, ka thënë për “Bloomberg News” se testimet e mëtutjeshme do të ndërmerren për ta konstatuar efikasitetin e plotë të përdorimit në dozë të përgjysmuar të kësaj vaksine gjatë testimit, transmeton KOHA. 

Ai ka shtuar se një testim tjetër ndërkombëtar do të bëhet, porse procesi do të zhvillohet më shpejt, ngase shkalla e saktësisë veçse dihet të ketë qenë e lartë. Kompania britanike, e cila ka bashkëpunuar me Universitetin e Oksfordit, është përballur me pyetje të shumta rreth suksesit të vaksinës.

Ekspertët kanë pretenduar se dyshimet e ngritura mund ta vonojnë aprovimin e licencës për vaksinën, nga rregullatorët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Bashkimin Evropian.