Lifestyle

Pandemia mund të çojë në ndërrim të roleve mes prindërve, thonë ekspertët

Foto: Ilustrim

Viti 2020 ka qenë transformues se si e sheh shoqëria atësinë dhe mund të prodhojë ndryshimin më të madh të përgjegjësisë së kujdesit mes prindërve që nga Lufta e Dytë Botërore, sipas ekspertëve.

Një hulumtim i ri ka treguar se teksa gratë morën barrën e kujdesit shtesë për fëmijët në fazën e parë të izolimit si pasojë e pandemisë së koronavirusit dhe po ndikohen në mënyrë jo të barabartë nga rënia ekonomike, mund të ketë rritje të orëve të kujdesit të baballarëve për fëmijët e tyre.

Kjo mund të çojë në ndryshim të vlerave të atësisë në çështjet e punëve familjare, sipas Ann Francke, shefe ekzekutive e “Chartered Managment Institute”, institucion profesional për menaxhim me bazë në Britaninë e Madhe.

“Udhëheqësit e bizneseve kanë parë vetë se si është të merresh me punë familjare dhe se dy prindërit duhet të merren me këtë”, ka thënë ajo, raporton “The Guardian”. Kalimi i punëve të shtëpisë ka shtyrë udhëheqësit e bizneseve të kuptojnë se nga puna fleksibile mund të përfitojnë të gjithë punonjësit njëjtë.

“Baballarët janë pjesë kyçe e progresit të barazisë gjinore”, ka thënë ajo. “Pa progres për baballarët nëpër shtëpi, s’mund të ketë progres për nënat në punë. Janë dy anë të monedhës”.

Në maj, Zyra e Statistikave Kombëtare në Britani të Madhe kishte nxjerrë një raport që thoshte se ka pasur 58 për qind rritje të kujdesit për fëmijët nga baballarët, të cilët kishin nisur të punonin më pak për shkak të pandemisë. Përderisa gratë bënin ende shumicën e punëve, dallimi mes dy gjinive u tkurr ndjeshëm.