Lifestyle

Truri i njeriut arrin t’i parashikojë gjërat pak milisekonda para se të ndodhin

S’do mend se të paktën një herë në jetë ju ka ndodhur që të keni ndjenjën sikur keni parashikuar diçka, para se ajo gjë në fakt të ndodhë.

Nuk është fjala për ndonjë superfuqi, por për një mekanizëm në tru, i cili ua mundëson njerëzve që të jenë shumë më të suksesshëm, shkruan The Guardian, përcjell KOHA.

Hulumtuesit e Universitetit të Kalifornisë “Barkeley” kanë studiuar se si njerëzit mund t’i parashikojnë disa gjëra në jetë dhe kanë zbuluar që truri i ka dy mekanizma për matje të kohës, të cilët mundësojnë parashikime afatshkurtra, ka raportuar revista shkencore “IFL Science”.

Truri i njeriut ka dy “orë” të brendshme që parashikojnë të ardhmen e menjëhershme.
Ky është konstatimi i dalë nga studimi i ri i Universitetit, i cili sugjeron se lidhjet nervore të trurit arrijnë të bëjnë parashikime për ngjarjet që do të ndodhin në milisekondat e ardhshëm.

Një nga “orët” mbështetet në përvojat e kaluara, ndërsa ora tjetër varet nga ritmi, mirëpo që të dyja janë vendimtare për mënyrën se si truri “lundron” botën.

Këto orë ua bëjnë të mundshme njerëzve që ta dinë se kur duhet të shtypin pedalin e shpejtësisë në makinë para se drita e gjelbër e semaforit të ndizet, ndërsa funksioni i njohjes së kohëzgjatjes mundëson gjithashtu përcaktimin me saktësi të momentit, ta zëmë, kur duhet nisur këndimin e një kënge.