Lifestyle

Ndryshimet klimatike kanë zhdukur gjysmën e koraleve australiane

Rreth 50 për qind e sistemit më të madh botëror të koraleve në Australi është zhdukur që prej viteve ‘90, ka treguar të mërkurën një studimi i publikuar në gazetën shkencore “Proceedings of the Royal Society”.

“Tkurrja ka ndodhur si në ujërat e cekëta ashtu edhe në ato të thella, dhe faktikisht në të gjitha speciet – por veçanërisht tek koralet e degëzuara dhe ato të sheshta. Ato ishin ndër më të ndikuarat nga temperaturat rekord të larta që shkaktuan zbardhimin masiv më 2016 dhe 2017”, ka thënë profesor Terry Hughes, bashkautor i studimit. Humbja e koraleve të sheshta do ta reduktojë gjithashtu edhe sasinë e peshqve.

Hughes ka shtuar se aftësia e këtyre koraleve për rikuperim është kompromituar nga pakësimi i shumimit të koraleve të mëdha, shkruan DW, përcjell KOHA.

“Popullimi energjik koralor ka me miliona korale të vogla, foshnja, si dhe po aq të mëdha – nëna të mëdha që e gjenerojnë baraspeshën”, ka thënë ai. “Rezultatet tona e tregojnë se aftësia e tyre për rikuperim – ringjalljen – është kompromituar krahasuar me të kaluarën, për arsye se ka më pak foshnja dhe më pak të korale të mëdha”, ka shtuar ai.

Ndryshimi klimatik po i vret koralet

“The Great Barrier Reef” është sistemi më i gjerë i ekosistemit të gurëve koralorë në botë dhe habitati i specieve të rrezikuara, siç janë gjitarët detar dugong dhe breshka e madhe e gjelbër.

Vdekja e koraleve i është atribuuar ngrohjes së oqeanit, e cila është shkaktuar nga ndryshimet klimatike. Ndryshimi në temperaturën e oqeanit ka tendosur koralet e shëndosha, duke ua shkaktuar atyre dëbimin e algave, të cilat ua shterojnë ngjyrat. Ky proces quhet zbardhim.