Vetëm bartja e maskës nuk mjafton për ta parandaluar përhapjen e koronavirusit, ka thënë udhëheqësja teknike e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) të programit emergjent, duke shtuar se njerëzit duhet ta mbajnë distancën me të tjerët.
“Po shohim se njerëzit nuk është se po e zbatojnë më distancën fizike,” ka thënë Maria Van Kerkhove në një konferencë për media. “Edhe nëse bartni maskë, prapë se prapë duhet të mundoheni të mbani distancë për të paktën 1 metër e madje edhe më shumë nëse mundeni”.
OBSH-ja ka paraqitur një listë masash për ta parandaluar përhapjen e virusit, përfshirë këtu bartjen e maskave, mbajtjen e distancës dhe pastrimin e duarve mirë e rregullisht, transmeton KOHA shkrimin e DW.
“Kështu që nuk është vetëm maska. Nuk është vetëm distanca fizike. Nuk është vetëm pastrimi i duarve. Duhet t’i bëni të gjitha”, ka thënë Van Kerkhove.
Masat në Gjermani
Qeveritë shtetërore dhe ato federale kanë bërë të obligueshme karantinën 14-ditore në shtëpi për të gjithë ata që kthehen në Gjermani nga zonat me rrezik të lartë.
Presidenti i Asociacionit Shëndetësor Gjerman, Klaus Reinhardt, ka propozuar se këta udhëtarë duhet të monitorohen nga policia gjatë karantinës së tyre.
Presidenti i një asociacioni të pediatërve në Gjermani ka bërë thirrje që maskat të jenë të obligueshme për mësuesit nëpër klasa, sepse nuk është e mundur të mbahet distanca e sigurt në klasat e stërmbushura.
Në shtetin gjerman të Rhine-Westphalia, bartja e maskave në klasa nuk do të jetë e obligueshme më për nxënësit e shkollave fillore nga 31 gushti. Sidoqoftë, do të vazhdojë të jetë e detyrueshme të bartet në objektin e shkollës jashtë klasave.