Lifestyle

Të moshuarit me nuhatje të mirë më pak të rrezikuar nga demenca

Të moshuarit të cilët mund ta nuhasin aromën e luleve, janë më pak të rrezikuar për t’u prekur nga demenca. Kështu ka bërë të ditur një hulumtim i fundit.

Shkencëtarët nga Universiteti i Kalifornisë, e kanë kryer studimin e tyre mbi 1.800 persona të moshës së shtyrë, përgjatë dhjetë vjetëve.

Dhe nga ky hulumtim, ata kanë zbuluar se personat që kanë funksion të mirë të nuhatjes, i kanë gjasat përgjysmë më të vogla për t’u prekur nga sëmundja e humbjes së kujtesës, transmeton Koha.

Sa i takon arsyes pse ndodhë kështu, shkencëtarët pyesin veten nëse pjesët e trurit të prekura nga demenca, mund të ndikojnë dukshëm edhe në shqisat e nuhatjes.

Edhe dobësimi i natyrshëm i shqisës së nuhatjes mund të shkaktojë humbje të kujtesës, ndoshta në mënyrë indirekte duke e penguar socializimin e këtyre personave, si dhe duke ndikuar në shëndetin e tyre mendor.

Demenca është term mjekësor i gjendjes e cila shkakton humbje progresive të funksionimit të trurit.

Rreth 850 mijë njerëz jetojnë me këtë sëmundje, vetëm në Britani të Madhe. Ndërsa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thuhet se rreth 5.7 milionë njerëz janë të prekur nga demenca.

Rezultatet e hulumtimit të fundit të publikuara në gazetën “Alzheimer's and Dementia: The Journal of the Alzheimer's Association”, tutje zbuloi që personat e testuar të cilët kishin funksion më të mirë të të gjitha shqisave, në përgjithësi ishin më të shëndetshëm dhe kishin më pak gjasa të prekjes nga diabeti, sëmundjet e zemrës, presioni i lartë i gjakut apo sulmet e ndryshme.