Industria e modës, si shumë sektorë të tjerë, është dashur të adaptohet me situatën e krijuar nga pandemia e koronavirusit.
Kriza globale shëndetësore e ka ndryshuar mënyrën se si bashkëveprojmë në botën e tekstilit, duke filluar nga kalimi i ‘shopingut’ nëpër dyqane në blerjet online, e deri tek pezullimi i sfilatave të modës deri në kohë të pacaktuar.
Me rregullat e reja të distancimit social dhe ndalimin e mbledhjes së grupeve të mëdha të njerëzve në një vend, disenjatorë të ndryshëm të modës është dashur të gjejnë mënyra alternative për t’i prezantuar koleksionet e tyre te publiku, transmeton Koha.
Pasi me dekada, disenjatorët janë mbështetur në prezantimet nëpër sfilatat e modës, për t’i debutuar kreacionet e tyre para mediave, blerësve potencialë dhe publikut mbarë botërorë, disa brende të modës së fundmi kanë vendosur që për herë të parë në histori të mbështeten tek bota digjitale, për ta arritur qëllimin e tyre.
Java e modës në Londër i praktikoi sfilatat virtuale për herë të parë në qershor të këtij viti, e përcjellë tutje nga “Couture Fashion Week” e cila zuri vend në muajin korrik. Marka të mëdha botërore të modës, si: “Chanel”, “Valentino”, “Dolce & Gabbana” dhe “Dior”, e prezantuan një epokë të re të shfaqjeve virtuale të modës dhe filmave të shkurtër.
Shumë disenjatorë po ashtu po i shfrytëzojnë këto kohë të jashtëzakonshme, për ta shfrytëzuar teknologjinë e përparuar në promovimin e koleksioneve të tyre.
Shtëpia italiane e modës “Gucci”, e ka prezantuar një teknologji të re virtuale e cila u mundëson klientëve që t’i provojnë këpucët e koleksionit të tyre, përmes aplikacionit Snapchat.
Ndërkohë, disenjatorët australian Ralph & Russo, e kanë shfrytëzuar inteligjencën artificiale për ta krijuar një ‘Avatar’ i cili e prezanton koleksionin e tyre të ri të veshjeve.
Sidoqoftë, aplikacioni “Virtual Reality” po vazhdon të udhëheqë, kur bëhet fjalë për të ardhmen digjitale të industrive të modës.
Me pak fjalë, realiteti virtual e krijon një mjedis të krijuar nga kompjuteri që simulon botën fizike, dhe e cila arrihet përmes syzave VR.