Sy të mëdhenj, mollëza të groposura, çehre të prishur – kjo është ajo çfarë e dallon një pikturë të Edward Munchit. “The Scream” është ikonë horrori.
Disa ekspertë besojnë se figura qendrore e tij kishte për qëllim të pasqyronte skajshmërisht sëmundjen. Versioni i parë i pikturës daton nga viti 1893, kur gripi rus porsa kishte nisur të përhapej në mbarë rruzullin. Pandemia kishte shpërthyer në Azinë Qendrore në majin e vitit 1893. U përhap në Kinë, Rusi dhe në Evropë nëpërmjet rrugëve tregtare.
Epidemia mbërriti në dhjetor në qytetin njujorkez, në janarin e vitit të pastajmë në Montreal dhe pastaj do të merrte udhë drejt Amerikës Jugore e Australisë. Simptomat e tij përfshinin ethe, dhimbje koke, dhimbje eshtrash dhe plogështi. Rreth një milion njerëz do të vdisnin si pasojë e pandemisë në mbarë botën.
Epidemia besohet se ishte shkaktuar nga një virus gripor, por hulumtuesit që po punonin me Marc Van Ramstin në Universitetin e Leuvenit në Belgjikë kanë një teori tjetër. Ata besojnë se pandemia ishte shkaktuar nga patogjeni me emrin HCoV-OC43. Ky virus ishte pjesë e familjes së viruseve të koronës.
Studimet gjenetike sugjerojnë se patogjeni ishte bartur nga bagëtitë te njerëzit – si rasti i SARS-CoV-23 sot – duke shkaktuar krizë globale të shëndetësisë. Është interesante se HCoV-OC43 ende është aktiv edhe sot, si një prej shtatë koronaviruseve që mund t’i infektojnë njerëzit. Por ana vrastare është zbutur: virusi sot mund të shkaktojë vetëm një ftohje të lehtë.
A e pret i njëjti fat edhe koronavirusin aktual?
Për afro gjysmëviti tashmë, koronavirusi i ri po e mban botën peng. Zyrtarisht, më shumë se trembëdhjetë milionë qytetarë të botës janë infektuar dhe virusi tashmë ka marrë jetën e më shumë se pesëdhjetë mijë viktimave, shkruan KOHA. Virologët, epidemilogët dhe higjienistë po bëjnë çmos që ta mbajnë gjendjen nën kontroll. Por ata po mësojnë edhe se SARS-CoV-2 është një armik i paparashikueshëm.
Rezultati i krizës do të varet jo vetëm prej zhvillimit të mundshëm të vaksinës dhe ilaçeve, por edhe se si SARS-CoV-2 do të ndryshojë biologjikisht në muajt dhe vitet e ardhshme.
Indikatorët sugjerojnë se virusi mund të vazhdojë të përshtatet te njerëzit, që do të ishte lajm i mirë. Me kalimin e kohës, viruset priren të përshtaten më mirë me trupin e të prekurit për shkak se patogjeni gjen një mjedis të përshtatshëm. Një virus që vret më pak njerëz ka më shumë mundësi të përhapjes. Por gjërat po ashtu mund ta marrin të mbrapshtën.
“Në parim, zhvillimi nuk është i parashikueshëm”, thekson Christian Drosten, virolog në spitalin Charite në Berlin. “Jam optimist i kujdesshëm se rreziku nga SARS-CoV-2 do të bjerë, por nuk mund të jemi të sigurt”.