Lifestyle

Shkencëtarët janë në garë me kohën për të testuar vaksinat për COVID-19

Vala e parë e pandemisë COVID-19 mund të jetë duke mbaruar. Por, për zhvilluesit e vaksinave, ky mund të jetë problem, shkruan agjencia Reuters.

Shkencëtarët në Evropë dhe SHBA thonë se suksesi relativ i masave drakonike të mbylljes dhe rregulli i distancës sociale në disa vende dhe shtete nënkupton se përhapja e virusit mund të jetë në nivel të ulët dhe të mos ketë mjaftueshëm qarkullim të sëmundjes për të testuar vërtetë vaksinat potenciale.

Duhet të shikojnë më larg, ndoshta në vendet si Afrika dhe Amerika Latine, për të pasur rezultate bindëse.

“Ironikisht, nëse jemi vërtetë të suksesshëm me përdorimin e masave të shëndetit publik për të ndalur përhapjen e infeksionit viral, atëherë do të jetë e vështirë të testohet vaksina”, ka thënë Francis Collins, drejtor i Institutit Nacional të Shëndetësisë në SHBA.

Një vaksinë është esenciale për t’i dhënë fund pandemisë që ka shkaktuar afro 370 mijë vdekje në mbarë botën dhe ka infektuar mbi 6 milionë persona. Liderët botëror po shikojnë vaksinimin si mënyrën e vetme për të rifilluar ekonomitë e tyre të bllokuara.

Por, shkencëtarët thonë se është e vështirë të testohet vaksina ndërsa përhapja është zbehur.

“Për këtë që të funksionojë, njerëzit duhet të kenë një rrezik të infektimit në komunitet. Nëse virusi përkohësisht është larguar, atëherë provat janë të kota”, ka thënë Ayfer Ali, një ekspert në shkollën e biznesit Warwick në Britani. “Zgjidhja është të lëvizet te zonat ku infeksioni po përhapet më gjerësisht në komunitet – pra te shtetet si Brazili e Meksika momentalisht”.

Provat e vaksinës ndajnë njerëzit në grupe të trajtimit dhe grupe kontrolluese, ku grupet që trajtohen marrin një vaksinë eksperimentale dhe grupet kontrolluese marrin një placebo (ilaç pa efekt).

Gjithë pjesëmarrësit kthehen në komunitet ku po qarkullon sëmundja, dhe më pas krahasohet niveli i infektimit. Shpresa është që infektimi brenda grupit të kontrolluar të jetë më i lartë, që tregon se vaksina po mbron grupin tjetër.

Por, detyra kryesore për shkencëtarët është të kërkohen vullnetarë te popullata apo shtetet ku niveli i infeksionit është ende i lartë.

Një problem i ngjashëm ishte shfaqur kur shkencëtarët donin të testonin vaksinat e reja për Ebolan gjatë përhapjes në vitin 2014 në perëndim të Afrikës. Më pas, kompanitë u detyruan në mënyrë drastike të ulin planet për testime pasi vaksina ishte e gatshëm për testim vetëm kur numri i rasteve u ul dukshëm.

Në mesin e vaksinave të para për COVID-19 që kanë kaluar në fazën e dytë, apo fazën e mesme, të testimeve është ajo e kompanisë amerikane të biotekonologjisë Moderna dhe një tjetër që është zhvilluar nga Universiteti i Oksfordit dhe i përkrahur nga AstraZeneca. SHBA-ja në korrik planifikon të nisë provat për efikasitet të vaksinave te 20 mijë apo 30 mijë vullnetarë për vaksinë.