Derisa masat e karantinës kanë filluar të zbuten, shumë njerëz po zgjedhin të mbajnë maska në fytyrë gjatë kohës sa po qëndrojnë në publik.
Rregullat për mbajtje të maskave dallojnë nga shteti në shtet. Në Britani të Madhe ato rekomandohen vetëm në vendet e mbyllura ku distancimi social është më vështirë për t’u praktikuar, si p.sh: supermarketet, kafenetë e vogla dhe mjetet e transportit publik. Por, asnjë qeveri deri më tani nuk e ka bërë rregull të detyrueshëm, mbulimin e fytyrës.
Nëse jeni në kërkim të opsioneve më ‘cool’ të maskave të cilat mund të ripërdoren, mos kërkoni më larg. Marka e njohur “Adidas” e ka lansuar koleksionin “Face Cover”, i cili përmban maska të zeza të zbukuruara me logon e famshme të kompanisë, transmeton Koha.
Të krijuara nga pëlhura ricikluese e cila nuk përmban materie të plastikës, maskat e përshtatshme fiks për fytyrë dhe që mundësojnë frymëmarrje të lehtë, janë dizajnuar për të ndihmuar në parandalimin e përhapjes së viruseve dhe baktereve bartëse.
Maskat ofrohen me çmime të volitshme për gjithë adhuruesit e markës “Adidas”. Tri copë kushtojnë 14 euro e gjysmë dhe për çdo copë që do të shitet deri më 30 qershor, të hollat e mbledhura nga ato do të dhurohen për fondacionin, “Global Coronavirus Response Fund”, të organizatës bamirëse “Save The Children”.
Prodhimi i këtyre maskave në trend me modën ka filluar muajin e kaluar, kur kompania e njohur e veshjeve sportive, i rialokoi burimet e dizajnit dhe zinxhirit furnizues si pjesë e iniciativës ‘#hometeam’, e cila gjithashtu ka siguruar maska për komunitetet shëndetësore në Evropë, Kore Jugore dhe Amerikë.
Maskat ‘Face Cover’ tashmë kanë dalë në shitje dhe menjëherë e kanë rrëmbyer vëmendjen e publikut. Porositë rreth tyre kanë shënuar numër të lartë, prandaj kompania është detyruar të rifurnizohet me to.
Sipas një hulumtimi të kryer javën e kaluar në Universitetin e Edinburghut, u konstatua se mbulimi i fytyrës e zvogëlon dukshëm rrezikun e transmetimit të COVID-19.