Lifestyle

Simptoma misterioze, mbase e lidhur me COVID-19, ka hospitalizuar 15 fëmijë

Descriptive Text

Pesëmbëdhjetë fëmijë, shumica e të cilëve kanë pasur koronavirusin, janë hospitalizuar në New York me një sindromë misterioze, të cilën mjekët ende nuk kanë arritur që ta kuptojnë, por që është raportuar edhe në disa shtete evropiane, kanë raportuar autoritetet shëndetësore.

Shumica e fëmijëve, të moshave prej 2 deri në 15 vjeç, kanë shfaqur simptoma të ngjashme me një shokim toksik të ngjashëm me sëmundjen kawasaki, një gjendje kjo e rrallë tek fëmijët, që shkakton inflamacionin e enëve të gjakut, përfshirë edhe arteret koronare, ka thënë Departamenti shëndetësor i këtij shteti.

Asnjë nga pacientët në New York me këtë sindromë nuk ka vdekur, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Departamenti i shëndetësisë, i cili e përshkruan sëmundjen si një “sindromë e inflamacionit të sistemeve të ndryshme trupore, potencialisht të lidhura me Covid-19”.

Komisionari shtetëror i shëndetësisë, mjeku Howard A. Zucker, ka thënë se kjo sindromë e çuditshme po hetohet edhe nga zyrtarë tjerë të shëndetësisë, të cilët kanë tërhequr vëmendjen për këtë dukuri gjatë javëve të kaluara, ngase raste të tilla janë paraqitur edhe në shtetet e Evropës, të cilat janë të prekura më së shumti me koronavirus.

“Ekzistojnë përshkrime të ngjashme të fëmijëve në disa shtete evropiane që kanë pasur këtë sindromë inflamacioni, i cili është i ngjashëm me sindromën kawasaki, por duket të jetë shumë e rrallë”, ka thënë ai, gjatë një konference për shtyp javën e kaluar.

Ende nuk dihet nëse fëmijët në pjesën tjetër të SHBA-së kanë pasur sëmundje të tillë.

Qyteti i New Yorkut ka qenë qendër e pandemisë Covid-19, sëmundje kjo që shkaktohet nga koronavirusi dhe është më e rrezikshme për personat e moshuar dhe për ata që kanë probleme të tjera shëndetësore. Fëmijët janë më pak të rrezikuar që të sëmuren rëndë sesa të rriturit. Sidoqoftë, disa prej tyre sëmuren keq.

Në qytetin e New Yorkut gjashtë fëmijë kanë vdekur nga Covid-19, sipas të dhënave nga Departamenti i shëndetësisë.

Raportet e fëmijëve të sëmurë me këtë sindromë të panjohur në qytetin e New Yorkut kanë qarkulluar tash e sa ditë, por komunikata e publikuar gjatë të hënës ishte hera e parë që autoritetet shëndetësore të këtij qyteti bënë për t’i alarmuar mjekët që të jenë më të vëmendshëm ndaj pacientëve.

Në këtë dokument thuhet se shumica e 15 fëmijëve kishin ethe, irritim në lëkurë, vjellje apo diarre. Që nga hospitalizimi, pesë prej tyre kanë pasur nevojë për ventilim mekanik dhe shumica e tyre “kishin nevojë për përkrahje mekanike të shtypjes së gjakut”.

“Spektri i plotë i sëmundjes ende nuk dihet”, thuhet në njoftim. Nga 15 pacientët, shumica ose rezultuan pozitivë në testin për koronavirusin ose, me anë të testimeve për antitrupa, u mësua se kishin qenë të infektuar më parë.

Komisionerja për Shëndetësi e këtij qyteti, mjekja Oxiris Barbot, ka thënë se ani pse “nuk është definuar ende marrëdhënia e kësaj simptome me Covid-19, dhe jo të gjitha rastet kanë rezultuar pozitive në testet për Covid-19 me anë të testeve të DNA-së apo serologjisë, natyra klinike e virusit është e tillë që jemi duke kërkuar nga të gjithë që të na kontaktojnë menjëherë nëse hasin në pacientë me sindromën që e cekëm më lart”.

“Dhe për prindërit”, shtoi ajo, “nëse fëmija juaj ka simptoma, si ethe, irritim lëkure, dhimbje barku apo vjellje, thirreni mjekun menjëherë”. \ NYT