Spazmat e papritura të muskujve pak para se të biem në gjumë të thellë është zakonisht një dukuri e padëmshme, por gjithashtu mund të jetë edhe shenjë e ndonjë problemi shëndetësor.
A ju ka ndodhur që, pak para se të binit në një gjumë të thellë, të dridheni dhe zgjoheni? Po pyesni se për çfarë bëhet fjalë dhe pse ndodh kjo? Bëhet fjalë për dukurinë e quajtur dridhja hipnike, e cila është e zakonshme në shumë njerëz, shkruan “Huff Post”.
Dridhja hipnike është një formë e mioklonusit, pra një spazmë e papritur e një grupi muskujsh. Një shembull i mioklonusit është lemza, shkruan sot Koha Ditore.
"Këto dridhje nuk janë të vullnetshme, ato janë shumë të shkurtra dhe ndodhin papritur, më shpesh në fazën e parë të gjumit, fazën e transicionit midis zgjimit dhe gjumit të thellë", thotë Ellen Wermter nga Better Sleep Council.
Gjatë kësaj faze të gjumit, muskujt tuaj relaksohen, gjë që truri ndonjëherë e interpreton si një ndjesi të rënies, i cili më pas çon në tkurrje të muskujve. Dridhja hipnike mund të ndodhë edhe pa asnjë arsye, por gjithashtu mund të jetë tregues i ndonjë problemi shëndetësor.
Disa faktorë, siç janë stresi, ushtrimet intensive dhe disa ilaçe, mund ta rrisin mundësinë e dridhjes hipnike, por ato gjithashtu ndodhin tek njerëzit e shëndetshëm dhe shkaktohen nga lodhja, mungesa e gjumit ose përdorimi i stimuluesve (kafeinës dhe gjërave të ngjashme).
Në shumicën e rasteve, ato janë një dukuri beninje dhe nuk shkaktojnë shqetësim, por nëse janë të shpeshta dhe nuk ju lejojnë të flini, duhet të konsultoheni me mjekun. Në raste të rralla, ato mund të jenë sinjal i ndonjë problemi shëndetësor. Apnea e gjumit ndonjëherë mund të shkaktojë kontraktim të muskujve. "Kur rrugët e frymëmarrjes bllokohen dhe niveli i oksigjenit në gjak bie, truri e dërgon një sinjal alarmi i cili ndonjëherë manifestohet me dridhje të muskujve", shpjegon Wermter.
Nuk ka asnjë mënyrë të sigurt për t’i ndaluar këto dridhje, por mund ta zvogëloni shpeshtësinë e tyre nëse flini mjaftueshëm në një mjedis të qetë dhe të rehatshëm. Kontrollimi i nivelit të stresit dhe shmangia e kafesë pasdite do të ndihmojë gjithashtu në rrallimin e tyre.