Sa duhet të kemi frikë nga virusi misterioz kinez

Sa duhet të kemi frikë nga virusi misterioz kinez

20 January 2020 09:14

Virusi i ri kinez ka tërhequr shumë vëmendje të botës pas epidemisë së SARS-it, dhe ja çfarë dimë deri më tani.

Virusi misterioz, i cili më parë nuk ishte i njohur për shkencëtarët, po shkakton sëmundje serioze të mushkërive në qytetin kinez Wuhan. Më shumë se 200 persona janë të infektuar, ndërsa tre tashmë kanë vdekur nga problemet me frymëmarrjen.

Ai shkakton pneumoni tek pacientët, dhe meqë nuk është zbuluar deri më tani, niveli i kujdesit është shumë i lartë, sepse akoma nuk dihet se sa i rrezikshëm është, raporton BBC.

Çfarë virusi është ky

Mostrat e virusit u morën nga pacientët dhe iu nënshtruan analizës laboratorike, pas së cilës OBSH-ja arriti në përfundimin se bëhet fjalë për një koronavirus. Koronaviruset shpesh i sulmojnë kafshët, por vetëm gjashtë prej tyre i sulmojnë njerëzit. Sindroma e rëndë akute respiratorike, e njohur si SARS, e cila gjithashtu shkaktohet nga koronavirus, i mbyti 774 njerëz nga 8.098 të infektuar kur shpërtheu epidemia në vitin 2002.

Sa i rrezikshëm është

Koronaviruset mund të shkaktojnë ftohje të butë, por edhe mund të jenë vdekjeprurës. Ky virus i ri është diku në mes. Simptomat që ai i shkakton janë të ngjashme me simptomat e ftohjes, gjë që është shqetësuese, por jo aq e rrezikshme sa SARS.

Nga ka ardhur

Viruse të reja zbulohen vazhdimisht. Ato barten nga një specie ku nuk janë vërejtur, tek njerëzit. Koronaviruset vijnë nga kafshët - SARS ka kaluar nga një lloj maceje kineze tek njerëzit.

Cila kafshë është në rrezik këtu

Ata që janë të sëmurë lidhen me tregun e ushqimit të detit Wuhan, ku disa gjitarë detarë (siç janë balenat beluga) mund ta kenë koronavirusin. Megjithatë, tregu është i mbushur me kafshë të egra, lakuriqë, lepuj, gjarpërinj dhe këto kafshë kanë më shumë të ngjarë të jenë bartës sesa ushqimet e detit.

Pse Kina

Arsyeja për këtë janë me siguri madhësia e vendit dhe dendësia e popullsisë, si dhe kontakti i afërt me kafshët që e mbartin virusin.

Sa lehtë transmetohet virusi

Gjëja më ngushëlluese në lidhje me këtë virus është se nuk duket se transmetohet nga njeriu në njeri. Ky është problemi kryesor me viruset të cilat përndryshe i infektojnë mushkëritë, sepse ato përhapen lehtësisht dhe epidemitë janë të shpeshta, sepse ato transmetohen lehtësisht. Sikur të transmetohej nga personi në person, edhe punëtorët e shëndetësisë do të ishin infektuar deri më tani, por kjo nuk ka ndodhur. Megjithatë, disa ekspertë besojnë se është shumë herët për të pohuar se ky infeksion nuk transmetohet nga njeriu në njeri.

Sa shpejt po përhapet

Tani për tani nuk po përhapet shpejt. Pacientët kishin simptoma midis 12 dhe 29 dhjetorit 2019 dhe pas tyre nuk kishte raste të reja. Megjithatë, shqetësimet dhe kujdesi mbesin edhe më tej, veçanërisht pasi që një përhapje serioze e virusit mund të ndodhë nëse dikush prej të infektuarve gjendet në masën e cila e feston Vitin e Ri Kinez.

Si po reagojnë autoritetet kineze

Personat e infektuar trajtohen në izolim për ta minimizuar rrezikun e përhapjes së virusit. Gjendja e më shumë se 150 personave që kanë qenë në kontakt me të infektuarit po monitorohet vazhdimisht për të parë nëse shfaqin edhe ata shenja të sëmundjes. Përveç kësaj, tregu i ushqimeve të detit është i mbyllur për t’u pastruar dhe dezinfektuar. Turistët po kontrollohen gjithashtu nëse kanë simptoma.

Sa të shqetësuar janë ekspertët

"Tani që nuk kemi informata të mjaftueshme, është e vështirë të themi se sa të shqetësuar duhet të jemi. Derisa të kemi konfirmimin e burimit të infeksionit, nuk do të ndihemi të relaksuar", thotë njëri nga mjekët që po e studion virusin. "Ne duhet të shqetësohemi për çdo virus me të cilin njerëzit ballafaqohen për herë të parë. Sapo të vijë në kontakt me qelizat njerëzore, ai mund të pësojë mutacion, të fillojë të përhapet më shpejt dhe të bëhet më i rrezikshëm. Ne nuk duam t'i japim atij shans që ta bëjë këtë", shpjegon një mjek tjetër.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme