Lifestyle

Çka duheni të dini për lënien e duhanit

Lënia e duhanit paraqet hapin më të rëndësishëm të cilin mund ta ndërmarrin duhanpirësit për të përmirësuar kualitetin dhe gjatësinë e jetës.

Pse është aq vështirë të lihet duhani? Përgjigjja është nikotina.

Nikotina gjendet në duhan. Kjo është si varësia nga heroina ose kokaina. Me kalimin e kohës, personi bëhet fizikisht dhe emocionalisht i varur nga nikotina. Varësia fizike nxit simptoma të pakëndshme çvarësimi kur provoni të ndalni duhanin. Varësia emocionale dhe mentale vështirësojnë heqjen dorë nga nikotina edhe kur e ndalni pirjen e cigares. Hulumtimet kanë treguar që duhanpirësit duhet të përballen me varësinë mentale dhe fizike kur ndërpresin pirjen e duhanit, transmeton Koha.net.

Kur thithni tymin, nikotina hyn thellë në mushkëri. Atje absorbohet shpejt në qarkullimin e gjakut dhe vazhdon nëpër gjithë trupin. Nikotina ndikon në shumë pjesë të trupit, duke përfshirë zemrën dhe enët e gjakut, hormonet, mënyrën në të cilën trupi përdor ushqimin (metabolizmi) dhe trurin tuaj. Në të vërtetë, nikotina me thithjen e tymit të duhanit arrin në tru më shpejt se ilaçet që hyjnë në trup përmes venave. Nikotina mund të gjendet në qumështin e nënës, madje edhe në mukozën e qafës së mitrës te femrat që janë duhanpirëse. Gjatë shtatzënisë, nikotina kalon lirshëm nëpër placentë dhe gjendet në lëngun amniotik dhe gjakun e shiritit të kërthizës të të sapolindurve.

Faktorë të ndryshëm ndikojnë në atë se sa gjatë zgjat largimi i nikotinës dhe nënprodukteve nga trupi. Në shumicën e rasteve, duhanpirësit e rregullt edhe më tej do të kenë nikotinën dhe nënproduktet e saj në trup rreth 3 deri 4 ditë pas ndaljes së duhanit.

Niktona shkakton ndjenja të këndshme dhe zmbraps duhanpirësit nga ndjenjat e pakëndshme. Kjo shkakton dëshirën e sërishme për cigare. Duhanpirësit shpesh rrisin numrin e cigareve që sistemi nervor t’i përshtatet nikotinës. Kjo rrit edhe sasinë e nikotinës në gjakun të duhanpirësve.

Pas një kohe duhanpirësi zhvillon tolerancën ndaj nikotinës. Toleranca nënkupton që keni nevojë për më shumë nikotinë për të fituar efektin e njëjtë si në fillim. Kjo çon deri te rritja e numrit të cigareve me kalimin e kohës. Duhanpirësi arrin nivelin e caktuar të nikotinës dhe pastaj tenton ta mbajë.

Kur duhanpirësi e mbaron cigaren, niveli i nikotinës në trup fillon të bjerë. Ndjenja e këndshme ndalet, ndërsa duhanpirësi përsëri dëshiron cigare. Nëse nuk e ndez cigaren kur ndien nevojën, duhanpirësi mund të bëhet nervoz dhe irritues. Në një moment të caktuar duhanpirësi e ndez cigaren, ndjenja e këndshme kthehet, dhe cikli vazhdon.

Kur duhanpirësit tentojnë të zvogëlojnë apo ndalin cigaren, mungesa e nikotinës çon deri te simptomat fizike dhe mentale. Fizikisht, trupi reagon ndaj mungesës së nikotinës. Mentalisht duhanpirësi përballet me ndaljen e pirjes së duhanit e cila kërkon ndryshim të madh në sjellje.

Ata të cilët kanë konsumuar cigare rregullisht disa javë apo më gjatë, dhe menjëherë ndalojnë përdorimin e duhanit ose me të madhe reduktojnë sasitë, do të kenë simptomat e ndërprerjes së duhanit. Simptomat zakonisht fillojnë në afatin prej disa orëve nga cigarja e fundit, ndërsa kulmi përjetohet 2 deri 3 ditë më vonë kur shumica e nikotinës është jashtë trupit. Simptomat mund të zgjasin nga disa ditë deri disa javë.

Simptomat e ndërprerjes së duhanit mund të jenë:

- marramendja (e cila mund të zgjasë një deri dy ditë pas ndaljes së duhanit);

- depresioni;

- ndjenjat frustruese, padurimi, tërbimi;

- ankthi;

- nervozizmi;

- çrregullimet e gjumit, duke përfshirë edhe vështirësitë me fjetjen, ëndrrat e këqija, madje edhe ankthet e natës;

- problemet me koncentrim;

- parehatia;

- kokëdhimbja

- lodhja;

- apetiti i shtuar;

- shtimi në peshë;

- kapsllëku dhe fryrja;

- kolla, buzët e thata, pezmatimet e fytit;

- shtrëngimet në gjoks;

- puna më e ngadalshme e zemrës.

Këto simptoma mund të çojnë deri te ajo që duhanpirësi përsëri të fillojë pirjen e duhanit, ndërsa simptomat largohen. Dhe kështu hyn në rrethin vicioz të konsumimit të sërishëm të duhanit dhe të menduarit për ta lënë.