Kuriozitet

Zhytet në vrimën e akullt në sy të fëmijëve të saj, rusja vdes pasi rrëmbehet nga rrymat e forta

Një 40-vjeçare ruse e cila u hodh në një vrimë akulli të një lumi të ngrirë për të shënuar Epifaninë Ortodokse, dyshohet se ka vdekur pasi u rrëmbye nga rrymat e forta të lumit.

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, tregon avokaten ruse, nënë e dy fëmijëve, teksa u zhyt në lumin Oredezh pranë Vyras, një fshat në jug të Shën Petersburgut të mërkurën, e që më pas u tërhoq nën akull nga një rrymë e fuqishme.

Fëmijët e saj që ishin prezentë në vendin e ngjarjes, po bërtisnin të shqetësuar për atë që I ndodhi nënës së tyre, derisa një burrë që besohet se ishte bashkëshorti i viktimës, shihet duke u zhytur në vrimën e akullit për ta kërkuar 40-vjeçaren, mirëpo nuk pati sukses.

Daily Mail raporton se as zhytësit nga ekipi i shpëtimit nuk mundën të gjenin trupin e saj.

Avokatja nga Shën Petersburgu u zhyt në ujëra për të shënuar Epifaninë Ortodokse në një traditë të ndjekur çdo vit nga qindra mijëra besimtarë rusë. Njerëzit besojnë se uji i bekuar për ceremoninë vjetore ka veti të veçanta shëruese.

Alexander Zuyev, kreu i shërbimit të shpëtimit emergjent, kritikoi vendosjen e vrimës së akullit në një pikë ku lumi kishte një rrymë të fortë. Ai madje tha se është një nga lumenjtë më të rrezikshëm në rajon, ku njerëzit mbyten çdo vit, madje edhe gjatë sezonit të verës.

“Gruaja shkoi për një zhytje në një vend ku nuk ka shpëtimtarë ose ndriçim të përshtatshëm në një vrimë akulli të papërshtatshme. Është një nga lumenjtë më të rrezikshëm në rajonin e Leningradit dhe njerëzit mbyten në të çdo vit, madje edhe në verë. Ajo u rrëmbye nga rrjedha”, tha ai.