Një ari ngjyrë hiri i cili kishte nxjerrë zvarrë një grua nga tenda e saj dhe e kishte mbytur, është vrarë me armë zjarri.
Leah Lokan, një infermiere 65-vjeçare nga Kalifornia, po realizonte një udhëtim malor me dy shoqe në Montana, kur ariu 181 kilogramësh e kishte sulmuar kampin ku ato po qëndronin, në orët e hershme të së martës që shkoi.
Gjuetarët e kanë kërkuar ariun për tri ditë, duke vendosur edhe kurthe me shpresën për ta joshur që të afrohet. Stafi i veshur me syze për shikim gjatë natës e qëlloi ariun derisa ai bastisi një kafaz pulash, që ishte një karrem për të.
Lokan thuhet se ishte një grua entuziaste për të bërë çiklizëm në distanca të gjata me një “pasion për jetën që ishte jashtë normales”.
Ariu kishte arritur afër njerëzve në kamp mirëpo fillimisht ishte larguar pa shkaktuar ndonjë problem.
Lokan dhe dy shoqërueset e saj, të cilat po qëndronin në tenda të ndara, e kishin larguar ushqimin nga tendat duke e siguruar para se të binin për të fjetur. Mirëpo ariu ishte kthyer sërish pas pak kohe, duke kryer edhe sulmin fatal.
Edhe
Vritet nga ariu i murrmë një amerikane, e tërhoqi zvarrë nga tenda e saj
Zyrtarët e botës së egër thonë se janë të sigurt se ariu i ngordhur është autori i sulmit. Ata do të krahasojnë ADN-në e ariut të qëlluar me gjurmët e marra nga vendi i sulmit, për të verifikuar se është i njëjti.
Arinjtë që sulmojnë njerëzit nuk vriten gjithmonë nëse sulmi i tyre rezulton nga një takim i papritur, ose nëse ariu po mbronte të vegjlit e saj.
Por zyrtarët lokalë thanë se ariu i përfshirë në vdekjen e zonjës Lokan u konsiderua si një kërcënim i sigurisë publike për shkak të natyrës së sulmit.