Deysi Silva nuk mund ta shoh apo përqafoj vajzën e saj të porsalindur.
Fëmija, e lindur muajin e kaluar në një spital në kryeqendër të Kolumbisë, Bogota, në mesin e pandemisë së koronavirusit, është e hospitalizuar në repartin neo-natal ku vizitat janë të ndaluara për të mbrojtur bebet e ndjeshme nga një infeksion i mundshëm.
Por, familjarët e porsalindurve në këtë njësit në spitalin Kennedy po flasin me bebet e tyre nëpërmjet qindra video-thirrjeve të organizuara nga stafi, shkruan agjencia Reuters.
“Të dua shumë vajza ime, shpresoj që së shpejti do të jemi bashkë. E di se të dua shumë, të do shumë edhe babai yt”, i ka thënë Silva 30-vjeçare, që është nga Venezuela, ndërsa kishte sytë e përlotur derisa po e shikonte nëpërmjet video-thirrjes vajzën Deysi Mar Victoria.
Që kur ka filluar programi në mesin e majit, 143 familje kanë bërë 260 video-thirrje për të parë fëmijët në kujdesin intensiv, ka thënë sekretari i Shëndetësisë i Bogotas. Spitalet nëpër botë kanë ndarë të porsalindurit nga nënat në tentim për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, veçanërisht kur nënat dyshohen se janë të infektuara.
Punëtorët social – që koordinojnë telefonatat dhe mbajnë tabletin te inkubatorët – janë çelësi te këto biseda.
“Puna ime gjatë kësaj vizite virtuale është të lidhu nënat me fëmijët e tyre nëpërmjet tabletit. Shkoj te njësiti dhe vendosi tabletin afër te inkubatori që nëna ta shoh fëmijën e porsalindur dhe të flasë me të”, ka thënë punëtorja sociale Maria Nubia Arboleda.
Video-telefonatat ndihmojnë prindërit të lidhen me fëmijët e porsalindur përkundër distancës fizike, ka thënë zëdhënësja e spitalit Mirella Pena.
“Në rastin e të porsalindurve, video-thirrjet ndihmojnë të forcohet lidhja e prindërve me bebet”, ka thënë Pena.
Kolumbia, që ende po aplikon masat izoluese për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, ka mbi 30 mijë të konfirmuar dhe afro 1000 të vdekur nga virusi.