Kuriozitet

Sportisti i njohur për maskën që kishte, nuk përkrah mbajtjen e saj gjatë pandemisë

Glenn Jacobs është bërë i njohur si Kane, mundësi i serisë WWE, i cili gjatë gjithë karrierës së tij ka mbajtur maskë.

Tani, si kryebashkiak i qarkut Knox në Tennessee, Jacobs duket sikur nuk i përkrahë shumë maskat, shkruan “nypost”.

Sipas Knoxville News Sentinel, 53-vjeçari ishte anëtar i vetëm i Bordit të Shëndetësisë të Knoxit që ka votuar kundër mbajtjes së maskës brenda institucioneve publike për shkak të pandemisë, transmeton KOHA. Bordi, i cili ka votuar 7-1, përbëhet nga Jacobs, gjashtë profesionistë mjekësorë dhe një përfaqësues i shkollave të Knoxit.

Ky rregull hyn në fuqi ditën e premte dhe do të zgjasë derisa bordi ta anulojë atë, pasi që rastet e reja me koronavirus dhe hospitalizimet ditëve të fundit në këtë qark janë rritur.

Njëri nga anëtarët mjekësorë të bordit, i cili ka kaluar 15 vjet në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Tennesseet duke punuar si mjek pulmonar, thotë se rregulli për maskën mund të ndihmojë në kufizimin e hospitalizimeve.

Jacobs, për herë të parë është paraqitur si Kane në serinë WWE më 5 tetor të vitit 1997. Ai ende, herë pas here, performon.