Kuriozitet

Shpata e sundimtarit indian shitet për më shumë se 17 milionë dollarë

Shpata e Tipu Sultan, mbretit të shekullit të 18-të i njohur për rolin e tij si komandant në luftërat në Indinë jugore, u shit në një ankand të mbajtur në Londër për 17.4 milionë dollarë, shkruan BBC.

Shpata u shit të martën dhe çmimi i shitjes ishte shtatë herë më i lartë se vlerësimi. Kjo theu rekordin për një artikull nga kultura indiane dhe islame e shitur ndonjëherë në ankand, njoftoi shtëpia e ankandeve Bonhams.

“Shpata ka një histori të jashtëzakonshme, origjinë mahnitëse dhe mjeshtëri të pashembullt. Nuk ishte çudi që dy blerës luftuan për të. Ne jemi të kënaqur me rezultatin e ankandit”, ka thënë Nima Sagarchi, kreu i artit islamik dhe indian në Bonhams.

Tipu sundoi mbretërinë e Mysore në Indinë jugore midis viteve 1782 dhe 1799 dhe fitoi pseudonimin “Tigri i Mysore” për mbrojtjen e ashpër të mbretërisë së tij.

Ai ishte pionier i përdorimit të artilerisë me raketa në luftë dhe e shndërroi Mysoren në ekonominë më dinamike në Indi. Ai u vra nga forcat britanike më 4 maj 1799 kur ata sulmuan qytetin e tij mbretëror Seringapatam, i njohur tani si Srirangapatna.

Pas vdekjes së Tipu, shpata e tij, e cila u gjet në dhomat private të pallatit të tij, iu dorëzua gjeneralmajorit britanik David Baird për trimërinë e tij.

Tipu flinte në një rrjetë të varur nga tavani i dhomës së tij të gjumit dhe shpata ishte gjithmonë pranë tij. Doreza e shpatës është e zbukuruar me kaligrafi ari, ndërsa mbi teh është mbishkrimi persisht “shpata e sundimtarit”.

{gallery}