Një shaka nga një komedian kinez që i referohej një slogani të përdorur për ta përshkruar ushtrinë e shtetit, i ka kushtuar kompanisë së tij më shumë se dy milionë dollarë nga autoritetet shtetërore.
Dënimi i kushtueshëm vë në pah vijën e hollë në të cilën komedianët duhet të shkelin në Kinën e censuruar – ku politika rrallëherë bëhet çështje për të qeshur – dhe pasojat e rënda për ata në industrinë e argëtimit që mendohet se dalin jashtë linjës.
Li Haoshi, i njohur me nofkën “House”, mori vëmendjen e autoriteteve këtë javë pasi përdori frazë që lidhej me Ushtrinë Çlirimtare Popullore (PLA) gjatë shfaqjes së tij në një teatër në Pekin gjatë fundjavës.
Pas reagimeve zyrtare, Li anuloi të gjitha performancat e tij ndërsa kompania që e përfaqëson, “Shanghai Xiaoguo Culture Media”, ka kërkuar falje.
Të mërkurën, Drejtoria për Kulturë në Pekin, ka thënë se kompania do të gjobitet me 1.91 milionë dollarë dhe do t’i privohen rreth 190 mijë të tjera të përfituara “ilegalisht” – duke iu referuar dy performancave të fundit të Lisë. Kompanisë i është pamundësuar që të organizojë ndonjë performancë tjetër në qytet.
Deklarata akuzon Linë për “fyerje serioze” të ushtrisë dhe “ndikim të keq shoqëror”.
Byroja shtetërore ka konfirmuar se Li është cak i hetimeve bashkë me agjentin e tij.
Autoritetet nuk kanë dhënë detaje për hetimin, por kanë përsëritur se më 2021, Kina fuqizoi ligjin që ndalon fyerjet apo sharjet në drejtim të personelit ushtarak.
Çka ka thënë komediani?
Gjatë performancës, Li kishte folur për dy adoptimin e dy qenve dhe se pas ndjekjes së një ketri, i janë kujtuar “disa fjalë”.
“Stil i shkëlqyer i punës, i aftë për të fituar luftëra”, ka thënë ai, duke përsëritur sloganin e famshëm të Ushtrisë së Kinës.
Fraza qe shqiptuar për herën e parë në vitin 2013 nga udhëheqësi kinez, Xi Jinping, që është shef edhe i Ushtrisë, kur përcaktoi listën e kualiteteve të Ushtrisë. Që atëherë, fraza është përsëritur në disa raste zyrtare.
Pas dënimit, Li ka kërkuar falje në rrjetin social kinez Weibo, ku ka 136 mijë ndjekës./CNN