Ivermectin, një ilaç që përdoret kudo në botë për të eliminuar parazitët te kafshët, më së shpeshti te kuajt dhe lopët, po përdoret në Serbi prej disa muajsh si një "ilaç mrekullie kundër koronavirusit", gjë që ka shkaktuar probleme të mëdha te mjekët në këtë vend.
Por si nisi e gjithë kjo?
Gjithçka filloi me grupin e kundërshtarëve të vaksinimit që krijuan një grup në viber dhe nisën të shkëmbenin informata e këshilla kurimi. Grupi është rritur në 11.000 anëtarë në vetëm pak javë.
Në grup mund të lexoheshin këshilla të ndryshme, sa të çuditshme aq edhe bizare, nga trajtimi me ujë të manastirit të Poganovës, e deri te lyerja e hundës me krem “Pavloviq” që përdorët për të lyer fëmijët që pësojnë skuqje nga pelenat e deri të marrja e ilaçit për mbytjen e parazitëve te kafshët, Ivermectin.
Në fakt, përdorimi i këtij ilaçi ka gjetur hapësirë në shumë vende të botës, qëkur doli lajmi i rremë se ai kuron COVID-19. Veterinarët janë ankuar në shumë vende se ka mungesë të këtij ilaçi në rastet kur du duhet për të trajtuar kafshët.
Për të bërë punën edhe më keq, në këtë grup në viber u inkuadruan edhe disa figura të rëndësishme, si profesoresha e Fakultetit të Mjekësisë në Beograd, Valentina Arsiq-Arsenijeviq dhe kardiologu i dalluar nga Nishi prof. Dr. Bojko Bjelakoviq. Ata ndanë përvojat e tyre në lidhje me këtë medikament dhe shkoi aq larg, sa rezultatet ishin katastrofike dhe shumë “pacientë” u ankuan për një sërë efektesh anësore. Disa madje kanë raportuar edhe kollitje me gjak dhe probleme serioze neurologjike.
Në ndërkohë i gjithë rasti mori shumë hapësirë në mediat serbe dhe u përfshinë edhe organet hetimore. Një numër i madh i anëtarëve të grupit janë nën hetim, kurse Bjelakoviq dje është shkarkuar nga pozita e shefit të Departamentit të Kardiologjisë në Klinikën për Pediatri të Qendrës Klinike në Nish.
Serbia po kalon ditë të vështira sa i përket COVID-19. Javëve të fundit ka shënuar nga 6-7 mijë raste pozitive në ditë dhe rreth 60 të vdekur në ditë. Është vendi me numrin më të madh të rasteve në rajon dhe më gjerë. \klix