Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kuriozitet

Sekreti i orientimit të pëllumbave mund të jetë i fshehur në mëlçi

pllumi

Foto: Associated Press

Një ndjenjë e çuditshme instinktive mund t’i ndihmojë pëllumbat të gjejnë rrugën për në shtëpi.

Kafshët përdorin mënyra të ndryshme për t’u orientuar, duke përfshirë ndjekjen e yjeve dhe kujtimin e pikave të rëndësishme në terren. Zogjtë, peshqit dhe breshkat orientohen gjithashtu duke përdorur fushën magnetike të Tokës si busull. Por ende nuk është plotësisht e qartë se si e bëjnë këtë.

Pëllumbat janë një grup i njohur zogjsh udhëtarë që mund të përshkojnë qindra kilometra brenda një dite të vetme. Për mijëra vite, njerëzit i kanë përdorur ata për të dërguar lajme, letra dhe mesazhe ushtarake.

Shkencëtarët kanë kohë që përpiqen të kuptojnë se si pëllumbat udhëtojnë pa humbur rrugën. Disa mendojnë se zogjtë zbulojnë sinjale magnetike përmes molekulave të ndjeshme ndaj dritës në sytë e tyre, ndërsa të tjerë besojnë se kjo ndodh në sqep ose në veshin e brendshëm.

Në një studim të ri, Martin Wikelski nga Instituti Max Planck për Sjelljen e Kafshëve dhe studiues të tjerë vendosën të zbulojnë sekretet e orientimit të pëllumbave. Ata kërkuan gjurmë magnetike në organet e zogjve dhe gjetën një sinjal të fortë në një vend të papritur: në mëlçi.

Edhe Shkencëtarët mund ta kenë gjetur zgjidhjen për ata që i mundon udhëtimi me makinë Lifestyle 10 muaj më parë Shkencëtarët mund ta kenë gjetur zgjidhjen për ata që i mundon udhëtimi me makinë

Qeliza të specializuara imunitare në mëlçinë e pëllumbit shpërbëjnë qelizat e kuqe të gjakut dhe ruajnë hekur. Kur shkencëtarët ua hoqën përkohësisht këto qeliza imunitare pëllumbave dhe më pas i lanë të fluturonin, zogjtë “thjesht nuk mund ta gjenin më rrugën”, ka thënë Christian Kurts nga Universiteti i Bonit në Gjermani. Kjo sugjeroi se qelizat e pasura me hekur në mëlçi mund të luajnë rol në ndjenjën e drejtimit të tyre.

Busullat magnetike të zogjve çrregulloheshin vetëm në ditët me re. Kjo sepse ata përdorin edhe diellin si udhërrëfyes për orientim.

Shkencëtarët kanë menduar edhe më parë se qelizat imunitare mund të përfshihen në ndjeshmërinë magnetike, por studimi i ri, i publikuar në revistën shkencore Science, është i pari që paraqet një teori të plotë.

Qelizat imunitare ndodhen pranë fibrave nervore në mëlçi. Kjo mund të jetë mënyra se si ato transmetojnë “ndjenjën magnetike” te truri dhe ndihmojnë pëllumbat të orientohen, theksoi bashkautorja e studimit Clivia Lisowski nga Universiteti i Bonit.

Edhe Elefantët robotikë tërheqin turma e shkaktojnë polemika në tempujt e Indisë Kuriozitet 2 d. më parë Elefantët robotikë tërheqin turma e shkaktojnë polemika në tempujt e Indisë

Studiuesit mendojnë se edhe zogj dhe kafshë të tjera, si minjtë, mund të përdorin një lloj të ngjashëm “GPS-i magnetik”. Por ekspertë të tjerë thonë se nevojiten më shumë kërkime për të vërtetuar se pëllumbat orientohen në këtë mënyrë dhe për të kuptuar më mirë se si këto sinjale arrijnë në tru. Edhe pse studiuesit gjetën sinjalin më të fortë magnetik në mëlçinë e pëllumbave, qeliza të tilla imunitare janë vërejtur edhe në pjesë të tjera të trupit, përfshirë sqepin dhe shpretkën.

Është e mundur që ky mister magnetik të mos ketë vetëm një përgjigje, shkroi patologu Simon Spiro dhe biologu Hal Drakesmith në një editorial. Sipas tyre, zogjtë mund të përdorin teknika të ndryshme për të ndier fushat magnetike, varësisht nga detyra - qoftë për udhëtime të gjata apo për të gjetur një destinacion specifik.