Për këdo që ka nevojë të bërtasë pafund në humnerën digjitale, interneti ofron një vend për ju.
Produkt i kompanisë MSCHF nga SHBA-ja, Scream Club apo Klubi i Britmave, është një faqe e internetit ku vizitorët mund të bërtasin pafund para monitorëve të tyre apo mikrofonave, së bashku me vizitorët tjerë, shkruan Motherboard.
“Kjo ide na erdhi pasi që ulëritëm gjatë thirrjeve tona në ZOOM dhe e kuptuam se sa mirë ndiheshim pastaj. Reagimi ndaj kësaj faqeje ka qenë shumë i mire”, ka thënë Daniel Greenber, kreu i strategjisë dhe zhvillimit në MSCHF. “Qoftë nëse jeni të mërzitur, të mllefosur, të vetmuar apo të lumtur, nuk ka rëndësi, klubi Scream është për ju”.
Pos që mund të çliroheni duke bërtitur vetë, gjithashtu mund të dëgjoni edhe britmat e të tjerëve në këtë webfaqe dhe kur i dëgjoni këto, e kuptoni se si po ndjehen njerëzit në vitin 2020. Gjithashtu paraqet qasjet e ndryshme kur njerëzit në fakt bërtasin, transmeton KOHA.
Kemi ulërimën e gjatë që duket sikur dikush po bie nga mali, e pastaj është britma më e shkurtër, si ajo kur e hapim gojën te mjeku. Dhe natyrisht, është ajo ulërima e thellë që del kur dikush i zbrazë ndjenjat e vërteta rreth gjendjes së tanishme në botë.
Në këtë faqe interneti është edhe tabela e britmave dhe më e gjata zgjatë afro 26 sekonda. Autori i kësaj britme ka pasur një ditë me të vërtete të keqe ose ka bërë ndonjë manovrim kreativ teknik.
Por kini kujdes, përmbajtja e audios në Scream Club nuk është e mbikëqyrur.