Teksa Mesdheu lindor ballafaqohet me një valë përvëluese të të nxehtit, në ishullin grek të Kretës, në emër të mbrojtjes, pemët e ullirit po ujiten me anë të një sistemi të teknologjisë së lartë. Kësisoj garantohet që ato të kenë sasi të mjaftueshme të ujit dhe të mos shkojnë fare dëm.
Ioannis Louloudakis është fermer ulliri në ishullin e Kretës. Ai thotë se edhe ata që nuk merren me bujqësi vënë re se si po ndryshojnë reshjet, që janë aq të çmuara në një ishull relativisht të thatë.
“Bazuar në përvojën time, në vendin tim shi bie shumë më rrallë. Por edhe kur bie, është për një kohë më të shkurtër dhe më intensivisht”, ka thënë ai.
Nën rrethana të tilla, uji nevojitet të menaxhohet mirë. Kjo është arritur falë një projekti për ujitje në fermën e Louloudakis, që e ka ulur theksueshëm përdorimin e ujit.
Sensorët nëntokësorë dhe ata atmosferikë ofrojnë shifra të sakta të ujit të nevojshëm për ujitjen e ullinjve të Louloudakisit, dhe atë krejt nga distanca.
Ky sistemi i mençur i ujitjes bazohet në një tjetër të tillë që veçse është hedhur në treg.
Porse ky i riu është vepër e Ioannis Daliakopoulosit nga Universiteti Grek Mesdhetar në Kretë, i cili është koordinatori shkencor i projektit.
Lysimetrat janë një nga mjetet kryesore që Daliakopoulosi dhe kolegët e tij kanë përdorur për ta krijuar një sistem të ujitjes me saktësi të lartë. Daliakopulos gjithashtu e kryen testimin e ujitjes në ullishtën e Universitetit Helenik.
“Ideja është se ne duam që ta përmirësojmë teknologjinë e ujitjes me pika që tashmë janë në treg, në mënyrë që të sjellim më shumë shkencë dhe modelim në të. Zakonisht sistemet e ujitjes bazohen në planifikim. Pra, në kohën e caktuar ujitet një fermë. Këtu ne sjellim informata jo vetëm nga klima dhe toka, por edhe nëpërmjet monitorimit të të lashtave aktuale”, ka thënë ai.
Daliakopoulos e ka përdorur modelimin kompjuterik për ta përmirësuar teknologjinë ekzistuese.
Lagështia e tokës, evapotranspirimi i parashikuar, parashikimi i motit, temperatura atmosferike dhe kripësia e tokës janë disa nga parametrat që maten.
Të dhënat e mëparshme dhe parashikimet e ardhshme gjithashtu merren parasysh.
Ky është përmirësim i madh i sistemit të ujitjes të planifikuar, që ai e ka rikrijuar.
E puna e tij ka dhënë fryte për pilotprojektin në fermën e ullirit të Louloudakis.
Falë saj, fermerët si Louloudakisi do të munden që gjithnjë e më shumë ta menaxhojnë punën nga distanca.