Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kuriozitet

Rituali i ecjes në zjarr në Prizren

Turra e druve digjet në një mbrëmje marsi në mes të ishullit të improvizuar në formë gjysmëharku në Parkun e qytetit të Prizrenit. Ndërsa në miniamfiteatrin aty është mbledhur publiku, për të parë nga afër ritualin e ecjes në zjarr, që tradicionalisht realizohet një herë në vit në këtë qytet. Në sfond dëgjohet gurgullima e lumit, por edhe muzika shpirtërore me zë të ulët.

Përderisa flakët bashkë me reflektorët ndriçojnë hapësirën e parkut të shndërruar në skenë, moderatori i kësaj ngjarjeje të rrallë tradicionale, Rron Kastrati, para të pranishmëve shpjegon se si rituali i ecjes në zjarr përmban të gjitha elementet pozitive të psikologjisë njerëzore - shëndetit të mbarë, forcës shpirtërore, ngritjes së vetëdijes dhe natyrës së fuqishme për t’i përballuar rreziqet nëpër të cilat ballafaqohet njeriu gjatë jetës së përditshme, shkruan sot Koha Ditore.

“Përmes këtij rituali, pos mposhtjes së frikës, mund t’i largojmë fobitë e ndryshme, të cilat na paraqiten gjatë çdo sfide në jetën tonë”, thotë ai, gjatë prezantimit. Sipas tij, ky ritual ndikon në forcimin e mendjes dhe se ka një histori të gjatë, duke u zbatuar që nga kohërat e lashta e deri më tani.

“Përmes këtij rituali shumë njerëz kanë përfituar dobi të shëndetshme. Përmes këtij rituali janë shëruar shumë njerëz nga frikët e ndryshme, është krijuar forca e vetëbesimit, forca e madhe e psikologjisë sonë njerëzore dhe po ashtu janë forcuar emocionet tona”, thekson Kastrati. Po ashtu, sqaron se ecja në zjarr krijon mundësi të arta që individi të krijojë kontakte të vazhdueshme me ndërdijen, me psikologjinë e brendshme, me emocionet dhe me çdo element tjetër pozitiv që ka njeriu.

“Rreziqet apo parafytyrimet se ky ritual mund të na dëmtojë nuk ekzistojnë dhe nuk qëndrojnë. Përmes këtij rituali, si njerëz, si individë, përfitojmë në të gjitha prizmat... Ky ritual u mundëson këtyre njerëzve që ecin mbi zjarr që ta arrijnë pikën kulmore shpirtërore”, deklaron Kastrati.

të njëjtën kohë ai pyet publikun, nëse ndonjëri prej tyre dëshiron që ta sfidojë veten në përballje me frikën përkatësisht që të ecë në prush. Të pranishmit në amfiteatër, me qëndrimin e tyre, bëjnë të ditur se më shumë janë të interesuar për ta vrojtuar ngjarjen. Kastrati shpjegon, se ky organizim realizohet nga njerëz me përvojë në botën e parapsikologjisë e psikologjisë, që janë sfiduar me ecjen në zjarr, duke veçuar emrin e Adem Kolgecit, teksa shton se shkalla e nxehtësisë është 800 apo 900 gradë, por se të gjithë e kalojnë sfidën me shëndet të mirë. Gjithashtu, shpreh mirënjohjen për organizatorët, si Arben Shala, Ylber Cahani, Hidajet Bytyqi bashkë me Kolgecin, që kanë kontribuar për vazhdimësinë e kësaj tradite në Prizren. Duke i ftuar pjesëmarrësit në sesionin e përgatitjes psikike, ai uron shikuesit që ta përjetojnë emocionalisht këtë ritual.

Pas kësaj thirrjeje, pjesëmarrësit e regjistruar për ecjen në zjarr ulen këmbëzbathur disa metra larg zjarrit. Nën udhëheqjen e Adem Kolgecit, kryejnë përgatitjen psikike, që i paraprinë ecjes mbi zjarr. Ndërkohë prushi i krijuar nga djegia e turrës së druve shpërndahet për të krijuar shtegun e ecjes. Nxehtësia aty ndihet prej disa metrash. Pas një kohe, pjesëmarrësit të prirë nga Kolgeci ngrihen në këmbë dhe fillojnë të ecin fillimisht rrotull prushit. Pas kësaj pason ecja mbi zjarr. I pari që e kalon këmbëzbathur zjarrin është Kolgeci. Pas tij ecin edhe 13 pjesëmarrësit e tjerë. Këtë gjë e përsërisin edhe nga 2 ose 3 herë, varësisht nga dëshira personale.

“Ju lumtë”, është shprehja me të cilën i përgëzon Kolgeci të gjithë pjesëmarrësit.

Mst: Nxehtësia 1000 gradë

Njëri nga ata është Mustafë Shigjeqi, i cili tregon se janë bërë 5 vjet që prej se e përcjell këtë aktivitet, derisa vetëm vitin e shkuar dhe sivjet ka vendosur që ta sfidojë veten me ecjen në zjarr.

“Është një ndjenjë e mirë, prandaj e ftoj gjithë rininë dhe të gjithë ata që dojnë me sfidu veten me marrë pjesë në ecjen në zjarr. Besoj që disi duhet me liru veten prej të këqijave që i kemi dhe kjo është një mundësi e mirë”, thotë Shigjeqi.

Ndërsa, Visar Haxhifazliu pohon se kjo është hera e tretë që ai ec në zjarr.

herë ka qenë në gjatësi të ndryshme... Po besoj se me këtë mundemi me mund frikën, sepse frika është diçka që krijojmë në kokën tonë. Dhe përmes këtij aktiviteti mundesh me fitu vetveten, me tejkalu frikën”, deklaron Haxhifazliu, duke siguruar me buzëqeshje se këmbët i ka “shëndosh e mirë”.

Në anën tjetër, njëri prej organizatorëve të këtij rituali në Prizren, Arben Shala, ka treguar se Ecja në Zjarr në Prizren ka filluar nga një grup entuziastësh të kësaj fushe në vitin 1992. Ai thekson se në atë kohë, ky ritual është mbajtur në zonën e Marashit, dhe me një grup më të vogël të njerëzve.

“Prej atëherë qe 27 vjet mbahet rregullisht në Prizren, kryesisht në javën e tretë të marsit. Meqë po ka pjesëmarrës që vijnë nga vende të tjera, po e organizojmë të shtunave. Si ritual nuk ka ndonjë prapavijë fetare, është thjesht një praktikë nga ana psikologjike e mundjes së vetvetes”, thotë Shala.

Sipas tij, Ecja në Zjarr i mundëson personit që të ngadhënjejë mbi frikën.

“Fakt është që kur ke para vetes një prush dhe e di që nxehtësia aty është 1000 gradë, çdo qelizë të thotë mos shko se digjesh, vdes. Tash ti automatikisht fillon me u nda në dysh, fillon me të nda frika, personifikohet frika dhe uni yt dhe është ajo lufta e brendshme e njeriut. Mirëpo, megjithatë në fund e fiton atë frikë, e mund atë person. Ndjenja kur e kalon zjarrin është e papërshkrueshme. Në aspektin psikologjik është ndjenja më e fuqishme e mundjes së frikës nga vdekja. Personi që e kalon nuk ka me pas më pengesa në jetën e vet personale”, deklaron Shala.

Rituali me origjinë nga Greqia antike

Arben Shala e pranon se në fillet e këtij organizimi në Prizren janë përballur me paragjykime nga pjesë të caktuara të shoqërisë, por se kjo nuk i ka penguar që të vazhdojnë rrugëtimin e tyre.

“Ne e kemi shikuar punën tonë dhe kemi ardhë deri në vitin 2019, pa e ndërpre këtë traditë”, tregon Shala. Sipas tij, tani ka pak pjesëmarrës nga Prizreni, ndërkohë që është rritur numri i tyre nga qytetet e tjera, si Prishtina, Gjilani, Peja e Ferizaj, por edhe nga Shqipëria.

“Ky është viti i tretë që kemi pjesëmarrës nga Shqipëria. Është Instituti i Psikologjisë pranë Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë, ku ata së pari kanë ardhur me vështru për hulumtimet e tyre dhe pastaj kanë filluar me ec në zjarr. Tani janë pjesëmarrës të rregullt”, thotë Shala.

Ai pohon se edhe numri i publikut nuk është shumë i madh, ngase puna kryesore bëhet rreth organizimit të ritualit dhe se dukshmëria e tij ka qenë në plan të dytë, marrë parasysh edhe faktin se organizimi është vullnetar prej njerëzve me profesione të ndryshme.

“Ne e organizojmë për me e vazhdu traditën, në vendin e mbajtjes, në Prizren. Është me rëndësi të ceket se ky lloj rituali nuk mbahet në Evropë, me përjashtim të Bullgarisë, ku mbahet në çdo 5 apo 10 vjet. Ndërsa ne e organizojmë çdo vit”, është shprehur Shala.

Në vazhdim ai ka shpjeguar se ky ritual origjinën e ka në Greqinë antike.

“Ecja në zjarr është organizuar edhe para kohës së Aristotelit. Organizimi tyre ka qenë në aspektin psikologjik, jo në atë fetar. Kanë konsideruar se njeriu për me mujtë me kalua në një fazë të vjetër të qenies apo zhvillimit mendor e shpirtëror duhet të ecë nëpër zjarr”, thotë Shala.

Ky ritual i hershëm, sipas tij, transformon individin, duke e bërë më të dobishëm jo vetëm për veten, por edhe për shoqërinë.

“Njeriu kur ec, e kalon zjarrin dhe e sheh që nuk është më e dëmshme, pra kur e mund frikën nga vdekja bëhet personalitet tjetër, një njeri tjetër dhe ai do t’i kontribuojë shoqërisë shumë më ndryshe sesa që ke qenë. Tek atëherë e sheh se sa barrën e ke pasur, se me sa ngarkesë ke jetuar dhe kjo të bën ta shohësh botën me sy tjetër, dhe të punosh më tepër në dobi të shoqërisë”, shpjegon Shala.

Me kalimin e kohës, sipas tij, pothuajse të gjitha religjionet e kanë praktikuar këtë ritual.

“Ka sekte të islamit që e kanë marrë, ka tarikate që e kanë përvetësuar këtë, po ashtu ka sekte specifike katolike që e kanë marrë, në hinduizëm pastaj është zhvilluar me tepër dhe e arsyetojnë me përndritjen shpirtërore”.

Mirëpo, sipas tij, organizimi në Prizren ka të bëjë kryesisht me kultivimin e një tradite antike nga aspekti psikologjik, për mundjen e vetvetes.

“Ideja është që kur njeriu e kalon këtë fazë është një person tjetër, që ia ndryshon jetën për 180 shkallë”, përfundon ai.

Artikuj të ngjashëm